E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimi, Rama: Meta të ikte, por kusarët e votës karshillëk popullit

TIRANE-Kryetari i Partisë Socialistë Edi Rama vlerësoi sot se video e përgjimit mes Priftit dhe Metës i bërë publik gjatë një emisioni envestigativ i dëshmoi edhe njëherë popullit, faktet se cfarë i mban të bashkuar Berishën me Metën në qeveri, ndërsa theksoi se opozita do të mbajë qëndrim rreth kësaj cështje.

“Mbrëmë u pa nga të gjithë me zë dhe figurë një nga episode që ndodhin prej kohësh në çatinë e qeverisë së krijuar nga votat e vjedhura. Sot u dëgjuan kryeministri dhe zëvendësi i tij, kusari dhe matrapazi që u treguan shqiptarëve që jo vetëm kanë vjedhur votat por me fuqinë e shtetit të kapur e parave të pista duan të vazhdojnë të vjedhin duke u tallur”.
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama vuri në dukje se këta matrapazë po i bëjnë popullit shqiptar një matrapazllëk që nuk ja kanë bërë as pushtuesit. “Mbrëmë u pa dhe dëgjua botërisht më zë dhe me figurë një episode prej pak minutash lidhur me lumin dhe llumin e korrupsionit të Saliut, Ilirit dhe Rulave të këtij pushteti që po bën kërdinë me HEC-e e TEC-e, me miniera dhe naftën e këtij vendi. Sot ndodhi diçka më e rëndë pasi botërisht ai që duhet të largohej dhe ai që duhej ta largonte, i dhanë popullit provën tronditëse se pse janë bërë bashkë, pse rrinë bashkë dhe pse duhet të vazhdojnë të rrinë bashkë në këtë koalicion”, insistoi Rama.
Sipas tij, është e padrejtë të thuhet se në atë Pazar ishte vetëm Ilir Meta pasi sot mund të thuhet se ishte aty edhe Saliu i cili në këtë çift qeveritar mes të hollit dhe të trashit ka rolin e atij që të mban me muhabet.
“Kur ai tjetri gjezdis me bllok në xhep për të bërë rrush e kumbulla pasuritë e shqiptarëve gjithçka tregon vet”, theksoi Rama.
Kreu i opozitës tha se kjo video ishte një fakt dhe grup faktesh për ato çka ka denoncuar opozita prej kohësh.

Rama garantoi se opozita nuk do të rrijë në heshtje ndaj skandaleve të tilla, por do të reagojë më mënyrat e veta.
“Shqiptarët presin një reagim të fortë prej nesh si partia më e madhe politike në vend. Premtoj se ky reagim nuk do të mungojë. Pasnesër Asambleja shpall konkluzionet dhe vendimet përkatëse. Sot është më shumë se kurrë dita që çdo shqiptar i arsyeshëm jo vetëm të kuptojë por të jetë edhe në lartësinë e duhur për të larguar një qeveri që synon të vjedhë zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë”.

Sipas Ramës, karshillkëu shkon edhe më tej, duke i mohuar sy për syri atë që kanë parë në TV.
“Kanë paturpësinë të tallen me shqiptarët duke mohuar gjëra që shihen me sy. Në çdo vend, ky episode duhet të kishte sjellë dorëheqjen apo largimin e çdo anëtari të qeverisë. Sot, është ndryshe pasi jo vetëm nuk ndodh kjo por mund të ndodhë vetëm e kundërta siç ndodhi. U tha populli nuk ka parë atë që pa dhe nuk ka dëgjuar atë që dëgjoi. Madje na thanë se qenka vepër e krimit që ka kapur opozitën dhe median”, këmbënguli Rama.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Përgjimi, Rama: Meta të ikte, por kusarët e votës karshillëk populli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›