E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjysmimi i taksës së makinave të vjetra dhe shtimi i plehrave të reja gjysmë të gatshme

makinaNga Lavdosh Ferruni

Heqja e taksës doganore për makinat në shtator 2011 bëri që të vërshojnë menjëherë nga importi makinat e vjetra në vend. Nga 9-12 mijë makina të importuara në 9 mujor të 2011 kaloi në 40 mijë në 9 mujorin 2012 dhe gjatë gjithë vitit 2012 u importuan 52.000 makina, nga të cilat vetëm 1800 ishin të reja, dhe 80% të prodhuara më shumë se 10 vjet më parë. Në Shqipëri është llogaritur që rreth 70% e makinave që qarkullojnë janë të standardit Euro 2, që në BE nuk mund të futen në qarkullim.

Rritja me mbi 3 herë e makinave brenda 1 viti ndodhi pavarësisht taksës së lartë vjetore për makinat e vjetra.

Natyrshëm pritet një rritje tjetër e madhe e importit të makinave të vjetra tani pas stimulimit nëpërmjet vendimit për përgjysmimin e taksës së qarkullimit të këtyre makinave. Politikat me taksimin e makinave të vjetra është e lidhur së pari me impaktin në mjedis.

Duke shmangur impaktin e këtij vendimi në efektin buxhetor dhe elektoral, mundet të kuptohet nga kushdo se do kemi një përkeqësim të mjedisit nga ky vendim. Më shumë makina të vjetra që emetojnë shumë më tepër gazra helmues do të importohen dhe më shumë do të shtohen në qarkullim nga këto makina.

Media sistematikisht ka informuar mbi bazën e të dhënave të vetë institucioneve shtetërore se ndotja e ajrit në Tiranë është 2-3 herë më e lartë se normat e lejuara e shkak kryesor është transporti i makinave.

Qartazi përgjysmimi i taksës do të kontribuojë për shtimin e ndotjes së ajrit në Tiranë edhe si rrjedhojë e shkarkimit më të madh nga vjetërsia e makinave në qarkullim, por edhe shtimi i vetë trafikut në përgjithësi.

Ndotja do të shtohet së tepërmi në qytetet turistike, nga Shkodra deri në Sarandë, sidomos në sezonin e verës. Veç mjedisit kjo do të ndikojë negativisht në vetë industrinë e turizmit qysh në këtë sezon që po afron.

Fluksi i pritshëm në rritje i importit të makinave të vjetra duket është njëherazi një kontigjent i fshehtë për të kompensuar ndalimin e importit të plehrave që pritet të ndodhë prej kërkesës për referendum të 60.000 qytetarëve e që pritet të shpallet prej presidentit të Republikës data e mbajtjes së këtij referendumi. P.sh është kërkuar në vitin që shkoi të importohen 30.000 ton skrap makinash nga vende të ndryshme të Europës, deri dhe nga Spanja, afërsisht kjo me 30.000 makina. Ndalimi si rrjedhojë e kërkesës referandare i këtij lloj importi plehrash kompensohet edhe më mirë me makinat e vjetra që do hyjnë në Shqipëri edhe për shkak të këtij vendimi për përgjysmimin e taksës, e që do kthehen shumë shpejt në plehra për të ushqyer Kurumin, i cili nga ana e tij do të vazhdoj të ndotë gjithnjë e më shumë qytetin dhe rrethinat e Elbasanit duke shkrirë më shumë plehra të Europës aty.

Kjo ndotje shtesë që vjen nga vendimi i përgjysmimit të taksës së qarkullimit të makinave të vjetra, që gjoja konvertohet në përfitim për mijëra njerëz është në fakt shkencërisht e vërtetueshme se shkurton mijëra vite jetë njerëzish.

Ajo që duhet është zgjidhja e integralit të problemit të madh të ndotjes së ajrit në qytetet shqiptare, formula pjesëtim për 2 është e gabuar. Zgjidhja mund të bëhet saktë vetëm në vjeshtë nga qeveria e re.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›