E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt ndryshimeve thelbësore në shëndetësi

Klodiana Spahiu/Deputete e PS-së

-Programi i PS për shëndetësinë synon një reformë të thellë të sistemit tonë shëndetësor, duke e modeluar atë sipas modelit më të mirë që funksionon në botën e sotme, modelit e sistemit shëndetësor kombëtar. Pikat më kryesore te këtij modeli janë si me poshtë: 1. Financimi i sistemit shëndetësor do të bëhet kryesisht me anë të taksimit të përgjithshëm.. 2. Aksesi i popullsisë për shërbim shëndetësor bazë, do të jetë i plotë; me këtë model çdo shqiptar është i mbuluar me sigurim shëndetësor 3. Cilësia e shërbimit shëndetësor do të jetë e kënaqshme. Rimbursimi i barnave është një element, por jo thelbësori, që tregon karakterin social të një sistemi shëndetësor. Me rimbursimin e barnave është spekuluar dhe abuzuar shumë në vendin tonë, duke e kthyer në qëllim në vetvete dhe “thesar” për përfitime të mëdha e të padrejta. Ekziston një listë me rreth 400 preparate me të cilën bëhet edhe politikë e madhe, por nëse duhet të ballafaqohen. Mjafton të themi se në Francë, lista e rimbursimit të barnave është me rreth 4000 barna. Në qeverisjen tonë të ardhshme, ne do të vëmë theksin në elementet e tjerë më të rëndësishëm dhe me impakt më të madh në shëndetin e popullatës. Modeli me sigurime shëndetësore, që është aplikuar në vendin tonë që prej vitit 1995, është një kopje e keqe dhe e deformuar e modelit “Bismark”, që funksionon në Gjermani dhe në një numër vendesh të tjera evropiane e më gjerë. Ky deformim i rëndë, që është rezultat i politikave korruptive, pa vizion dhe primitive, të drejtuesve të shëndetësisë, çoi në dështimin e këtij modeli dhe për pasojë, në gjendjen skandaloze të sistemit tonë shëndetësor që kemi sot. Kjo është dhe arsyeja kryesore që na shtyn ne të reformojmë rrënjësisht këtë sistem, duke ndryshuar modelin drejt një sistemi shëndetësor kombëtar. Cili është ndryshimi thelbësor që PS mendon të kryejë? Nga pikëpamja strategjike, ndryshimi më i madh do të jetë ndryshimi i mënyrës së financimit të këtij sistemi, nga kontributet që është sot që japin as më shumë e as më pak, por vetëm 7% të parave, në financimin me anë të taksimit të përgjithshëm, që do të sigurojë shumicën absolute të parave që i duhen sistemit shëndetësor për të funksionuar normalisht. Paratë që nevojiten në këtë drejtim, nuk do të sigurohen duke rritur taksat, por kryesisht, duke përmirësuar rrënjësisht menaxhimin e sistemit, pasi aktualisht sipas vlerësimeve të OBSH, sistemi ynë shëndetësor shpenzon rreth 7% të PBB, shifër kjo e krahasueshme me shumë vende të tjera evropiane, por që kanë një sistem shëndetësor shumë më të mirë. Ky është tregues i keq menaxhimit dhe abuzimit me financat e sistemit shëndetësor të drejtuesve të korruptuar që kanë mbizotëruar në këto vite në drejtimin e institucioneve tona shëndetësore.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›