E Shtunë, 31 Tetor 2026

Periudha transitore e MSA-së, 10 vite

Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka thënë se periudha transitore në mes të nënshkrimit të MSA-së dhe hyrjes së saj në fuqi është 10 vjet.

Gjatë informimit të kabinetit qeveritar lidhur me përgatitjet për negocimin e MSA-së, përmbushjen e kritereve afatmesme dhe përmbushjen e rekomandimeve që dalin nga studimi i fizibilitetit, Çitaku ka thënë se kjo periudhë kohore është një lajm i mirë për prodhuesit vendor.

Ajo ka treguar se më 4 shtator bashkë me ekipin negociator do të udhëtojë për në Bruksel, duke shtuar se institucionet e Kosovës deri më 5 shtator kanë afat që t’i japin imputet e fundit për raportin e progresit.

“Periudha tranzitoire në mes të nënshkrimit të MSA-së dhe hyrjes së saj të plotë në fuqi është 10 vjet. Kjo është periudha më e gjatë transitore të cilën e kanë pasur edhe vendet e rajonit. Tani e tutje duhet paralelisht me negocimin e MSA-së të përqendrohemi më shumë në përmbushjen e kritereve afatmesme. Ekipi i Ministrisë së Integrimit bashkërisht me personat përgjegjës në ministritë e linjës tashmë kanë punuar matricën dhe ne jemi në rrugë të mbarë që paralelisht me negocimin e MSA-së të përmbushim edhe kriteret afatmesme të cilat ishin identifikuar në studimin e fizibilitetit”, ka thënë Çitaku./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›