Shqipëri-Spanjë, një miqësore e mundshme
Presidenti i Federatës Spanjolle të futbollit, Angel Maria Vijar Lona, erdhi në Shqipëri si i deleguari i UEFA-s për të vëzhguar zgjedhjet në FSHF, por shqiptarët nuk humbën rastin për t’i bërë një kërkesë luksi: një miqësore Shqipëri-Spanjë. Dhe ai tregohet xhentil kur shprehet se ekziston mundësia e një ndeshjeje miqësore, e cila për momentin mbetet edhe një nga ëndrrat tona të bukura. Vijar ka bërë të ditur se ka biseduar me homologun e tij Duka për mundësinë e organizimit të një takimi të tillë, por ende nuk është caktuar një datë e saktë. “Kam biseduar gjithmonë me zotin Duka për mundësinë e një ndeshjeje të tillë. Sigurisht kemi dëshira, por realizimi varet edhe nga stafi teknik. Megjithatë, mund të them, pse jo një ndeshje e tillë mund të realizohet”, nënvizoi Vijar në përfundim të deklaratës së tij rreth kësaj çështjeje.
#