E Diel, 1 Nëntor 2026

Periudhë e trazuar e historisë



Trazirat e javës së kaluar tregojnë se kjo do të jetë periudha më e trazuar e historisë së kohëve të fundit të Greqisë, shkruan “The Economist”. Duke reduktuar pagat në sektorin publik, duke rritur taksat dhe në mënyrë hezituese duke filluar reformën në tregun e punës, plani është të reduktohet deficiti i buxhetit nga 13.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në 2009-n në më pak se 3% deri në vitin 2014. Por kjo do ta thellojë recesionin që tashmë e ka goditur Greqinë, me rënien e PBB-së në vitin 2010 që tashmë pritet të jetë të paktën 4% dhe një parashikim për një rënie edhe në 2011-n (shiko grafikun).

George Papandreou, Kryeministri socialist i Greqisë, mund të llogarisë mbështetjen në njëfarë mase nga gjysma e elektoratit (jo të gjithë ata votues të partisë së tij) se vendi përballet me një moment të vështirë ku masat e marra janë e vetmja mënyrë për të shmangur shkatërrimin. Ai gjithashtu mund të gjejë njëfarë qetësie për shkak se opozita e qendrës së djathtë, Demokracia e Re, është në pozicion të papërshtatshëm, teksa gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë madhësia e keqmenaxhimit të viteve 2004-2009. Por a do të jetë kjo e mjaftueshme? Edhe ata që e pranojnë gjerësisht se problemet e Greqisë janë të krijuara nga vetë ajo, janë të ndrydhur nga plani i rreptë që duket se ofron pak shpresë në afatin e mesëm dhe do të dënojë më shumë ata që punojnë më shumë dhe që kanë paga modeste.

Ka dhe një pjesë tjetër, ndonëse në pakicë, që nuk e besojnë qeverinë kur thotë se nuk kishte zgjedhje tjetër. Mikis Theodorakis, kompozitori më i famshëm grek, shprehu reagimin e thellë të shumë vetëve kur tha se kriza kishte të ngjarë të ishte një komplot nga forca të errëta të Amerikës dhe shtete të tjera kapitaliste për të ndrydhur krenarinë e vendeve të pavarura. Sado e çuditshme t’u duket kjo teori qeverive të Eurozonës, që kanë bërë ç’është e mundur për të shpëtuar Greqinë nga kolapsi, ajo mund të bindë disa njerëz në një vend ku teoritë e konspiracionit (dhe, në fakt, konspiracionet) kanë një histori të gjatë.

Politika greke ende përfshin një Parti Komuniste që është rigorozisht staliniste (ajo e dënon Krushovin si një liberal) dhe ka 8% të votave. Po zhvillohet një parti fetare-nacionaliste ekstremiste e djathtë me akronimin LAOS (në greqisht njerëz), që është përpjekur të fitojë respekt duke pranuar nevojën për masa të ashpra, por ende është gati të përfitojë nga situata.

Nuk do të jetë hera e parë kur FMN dhe BE do të jenë në qendër të zemërimit ksenofobik. Në shtypin radikal në internet, FMN quhet tashmë një juntë, e krahasuar me kolonelët që morën pushtetin në vitin 1967 me mbështetjen (shumë grekë e besojnë) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Greqia i bëri thirrje për ndihmë FMN-së në fund të prillit, pikërisht pak pas përvjetorit të goditjes së befasishme të 21 prillit 1967 dhe ky veprim shihet nga blogerët helenë si një konfirmim se vendi përballet me një periudhë të re të tiranisë së mbështetur nga të huajt.

Diskutime të tilla kanë jehonë në Greqi. Gjatë historisë së tij 200-vjeçare, roli i fuqive të huaja ka gjeneruar një pasion të nxehtë. Protagonistët në sherret e brendshme të Greqisë gjithmonë kanë kërkuar asistencë të jashtme, ndërsa kanë denoncuar me furi çdo ndihmë të huaj që u jepej rivalëve të tyre. Gjatë luftës civile 1946-1949 mes të majtëve e të djathtëve, çdo palë rezervoi ngurrim të veçantë për mbështetësit e huaj të armikut, amerikanë ose sovjetikë. Dimitris Livanios, një historian, tha se ideja e një “gishti të huaj” manipulues është një motiv i zakonshëm në çështjet greke.

Prosperiteti i paparë që gëzuan pjesa më e madhe e grekëve në dekadën e fundit ndihmoi në daljen e disa ideve që nuk kishin qenë ndonjëherë shumë poshtë sipërfaqes: ultramajtizmi, ultranacionalizmi dhe ksenofobia. Ndjenja të tilla mund të vërshojnë lirshëm tani. Qeveria pretendon se ka arritur disa suksese në rrethimin e një grupi të vogël ultramajtist të guerilasve urbanë që quhen “Luftëtarët revolucionarë”. Por ka frikë evidente se masat e rrepta dhe protesta do të çojnë në krijimin e një gjenerate të re të vetorientuar të stilit të Robin Hoods, që mund të praktikojnë si dhunë politike ashtu dhe kriminale.

Ndërkohë, grekët me këmbë më në tokë po vrasin mendjen për të gjetur mënyra për të rifituar konkurrueshmërinë e humbur të vendit dhe të përdorin më mirë burimet e bollshme humane dhe natyrore të Greqisë. Pjesa më e madhe e rritjes gjatë dekadës së fundit reflektonte kryesisht normat e ulëta të interesit të euros, që nxiti një treg konsumator të tepruar, të kompletuar me makina të mira, udhëtime të huaja dhe trajnerë personalë. Të gjitha këto do të tkurren me shpejtësi tani.

Po rreth turizmit, burimi kryesor i Greqisë? Disa ishuj grekë kanë pasur ndërtime të shumta si rrjedhojë e faktit se athinasit kanë përfituar nga lejet e ndërtimit të korruptuara, por në të gjithë vendin ka fshatra që kanë pamje shumë të bukur dhe ndërtime karakteristike që mund të tërheqin investitorë gjatë gjithë vitit. Atje, të paktën, ka një mundësi. Por vështirë se Greqia mund të bëhet sërish një destinacion i lirë dhe taksat e reja mbi bizneset të përfshira në planin e rreptë të masave të qeverisë mund të vrasin shpirtin sipërmarrës të atyre që mund të guxonin të provonin gjëra të reja. Taksa të reja mbi biznesin dhe pasurinë do të kufizojnë gjithashtu interesin për aktivet e shtetit, që mund të dojë t’i shesë për të rritur të ardhurat, thekson Stefanos Manos, një ish-ministër i Financave.

15 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›