Sherr me armë në mes të qytetit, dy të arrestuar
MALËSI E MADHE - Sherr me armë në mes të qytetit, arrestohen dy persona. Policia e Shkodrës ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se dy të arrestuarit janë përplasur për pronësinë e një toke. Nga të dhënat e policisë është mësuar se në pranga kanë rënë David Rragami, 30 vjeç, lindur e banues ne fshatin Buza e Ujit, Qendër Koplik dhe Paulin Rragami, vjeç 45, lindur e banues në fshatin Pjetroshan, komuna Kastrat, Malësi e Madhe. Uniformat blu kanë bërë të ditur se arrestimi i tyre është bërë pasi këta persona, dy ditë më parë, rreth orës 11:45, në qytetin e Koplikut, rrethi Malësi e Madhe, pikërisht në qendër të qytetit, janë përfshirë në një konflikt me armë zjarri për motive të dobëta, çështje pronësie. Gjatë këtij sherri me armë është dëmtuar xhami i prapmë i një mjeti tip “Benz”, që ishte parkuar në vendin e ngjarjes dhe mjeti tip “Ford”, në pronësi të David Rragamit. Policia është njoftuar për ngjarjen që po ndodhte dhe ka shkuar menjëherë në vendngjarje. Ata kanë bërë ndalimin e dy të dyshuarve dhe kanë nisur hetimet. Gjithashtu, për këtë ngjarje janë shoqëruar dhe gjashtë persona të tjerë, të cilët janë duke u hetuar në gjendje të lirë, pasi mendohet të kenë përkrahur autorët dhe të jenë përfshirë në ngjarje. David Rragamit i është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale, arma e zjarrit tip pistoletë. Dosja me materiale në ngarkim të dy të arrestuarve i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Denoncimet
Dhuna në familje, dy gra kërkojnë ndihmën e policisë
DURRËS - Dy gra janë vënë në mbrojtjen e policisë pasi janë dhunuar nga familjarët e tyre. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se, gjatë ditës së djeshme janë plotësuar kërkesë-paditë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për 67-vjeçaren me inicialet K. B., lindur e banuese në Lagjen 13, Durrës. Ajo kishte bërë kallëzim se është dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga djali i saj, N. B., 38 vjeç, lindur e banues në Lagjen Nr. 18 po të qytetit të Durrësit. Gjithashtu është marrë dhe denoncimi i 22-vjeçares me inicialet E. B., banuese në Lagjen 18 Durrës. Kjo e fundit ka treguar për policinë se është dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga vjehrri i saj, 61-vjeçari me inicialet H. B. Për të dyja këto raste policia ka kryer hetimet e para dhe në bazë të ligjit të miratuar për dhunën në familje dy vite më parë, dosja me materialet e tjera i ka kaluar për ndjekje Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
I shiti për skrap
Vjedh rrethimin e varrezave, Tafa përfundon në qeli
KRUJË - Vjedh kangjellat e varrezave, bie në pranga. Policia e Krujës ka bërë mbrëmjen e dy ditëve më parë arrestimin e Blerim Tafës, 30 vjeç. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, ndalimi i tij ka ndodhur rreth orës 23:00 të dy ditëve më parë. Prangosja e tij është bërë pasi dyshohet se gjatë ditës së arrestimit, në fshatin Borizane, Krujë, ka vjedhur një sasi prej 560 kilogramësh hekur nga kangjellat rrethuese të varrezave. Pasi i ka vjedhur ai i kishte ngjitur në një makinë dhe i kishte dërguar duke i shitur për skrap në pikën e grumbullimit të hekurishteve të një prej firmave që merret me mbledhjen e hekurit. Pas ndalimit dhe hetimit të kësaj ngjarjeje, dosja me materialet për veprën penale të “vjedhjes” i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
15 Maj 2010