Procesi i divorcit, Pirro Çako mbetet i vetëm
Laureta Rryçi
Kantautori Pirro Çako mbetet i vetëm. Një vit më parë, sopranoja Inva Mula deklaroi në gjykatë se nuk donte të ishte më bashkëshortja e Pirros. Ndërsa dje, po në të njëjtën datë, kantautori ka mësuar se nuk do të ndajë më të njëjtën çati edhe me të birin, Antonin. Në prezencë të psikologes, djali i çiftit të njohur është paraqitur dje për herë të parë në Gjykatën e Tiranës. Djali është pyetur nga gjyqtarja e çështjes, Elona Gjoka, në prezencë të palëve. Kjo seancë vjen pas dy muajsh ndërprerjeje për shkak të kërkesës së sopranos. Kjo e fundit shpjegoi se i biri ishte në shkollë dhe vetëm në ditët e para të muajit maj ai mund të linte Parisin për të ardhur në Tiranë.
Procesi
Nga dita kur sopranoja mori iniciativën për t’u ndarë me bashkëshortin e saj, tashmë ka kaluar viti. Megjithatë, çifti i njohur Inva Mula dhe Pirro Çako nuk e kanë gjetur dot gjuhën e përbashkët mbi kujdestarinë e djalit të vetëm. Gjyqtarja që po shqyrton divorcin vendosi seancën e kaluar që në gjykatë të paraqitet djali, ku do të pyetet në prani të psikologes se me kë do të qëndrojë. Palët në këtë proces po komunikojnë vetëm nëpërmjet avokatëve që përfaqësojnë të drejtat e tyre. Kjo si duket e ka vështirësuar shumë mundësinë për të rënë dakord mbi disa momente të domosdoshme që kërkohen kur bëhet ndarja ligjore e martesës. Djalit, teksa është pyetur nga gjyqtarja fillimisht se si shkonte me shkollën në Paris dhe shoqërinë që kishte, i është dashur të përballet edhe me pyetjen decizive. “Dua të qëndroj me mamin”, - mësohet të ketë thënë Antoni. Në këtë mënyrë pritet që vetëm të përgatitet një raport nga psikologia mbi gjendjen emocionale të fëmijës në këtë moment që po përjeton edhe ndarjen e prindërve. Megjithatë, tashmë gjyqtarja duket se e ka të qartë se kush nga prindërit do ta marrë kujdestarinë e fëmijës së tyre të vetëm. Tanimë i duhet të shprehet për këtë moment si dhe për kërkesën e sopranos për të marrë divorcin.
Padia
Në prill të vitit të kaluar ka qenë sopranoja që ka marrë nismën ligjore që kjo ndarje tashmë të kthehej në një divorc zyrtar mes tyre. Për Inva Mulën divorci ishte e vetmja zgjidhje e mundshme e momentit për shkak se ata kishin vite që jetonin në largësi. Ajo me të birin jetonin në shtëpinë e tyre në Paris, ndërsa Pirro në kryeqytetin shqiptar dhe ishte i angazhuar me karrierën e tij artistike. Kjo arsye nuk është pranuar nga kantautori si e vlefshme për të kërkuar divorcin. Ai, nëpërmjet avokatit, i ka kërkuar që të tregojë arsyet e vërteta pse ajo po kërkon divorcin. Aktualisht procesi ka mbërritur në fazën e kujdestarisë së fëmijës, vendim që do të jepet në seancat e radhës në Gjykatën e Faktit.
Psikologe në shtëpi
Vetëm një seancë më parë, meqë nuk kishin rënë dakord, një psikologe ka qenë në shtëpinë e Inva Mulës, por edhe në atë të Pirro Çakos. Përballë kësaj situate, gjyqtares i duhet të vendosë vetë se cili prind do të ishte zgjidhja më e mirë për djalin. Prej disa muajsh psikologia ka realizuar takime disa herë me Inva Mulën edhe Pirro Çakon. Ndërkohë është parë dhe rrethi miqësor që kanë ata në jetën e përditshme, aktiviteti ditor, si dhe kushtet ekonomike. Mësohet se këto të fundit janë një nga pikat kyçe që ndikojnë në dhënien e kujdestarisë, pasi mendohet për mirëqenien e fëmijës. Psikologja ka biseduar edhe me djalin për të parë gjendjen emocionale të tij se me kë dëshiron dhe ndihet më mirë ai që të jetojë në të njëjtën shtëpi, duke hequr dorë kështu nga qëndrimi me prindin tjetër. Çifti i njohur prej vitesh jeton larg njëri-tjetrit.
Vonesat që zgjatën procesin e divorcit më shumë se zakonisht
Procesi civil për divorcin e çiftit VIP nuk po mbaron ashtu siç ishte programuar nga sopranoja. Pothuajse me konfliktet e çifteve të zakonshme, edhe në këtë rast njëra nga palët përpiqet që të gjejë arsye nga më të ndryshmet jo vetëm të shtyjë seancën, por dhe të sqarojë sa më tepër arsyen për ndarjen mes çiftit. Të jetë për Pirro Çakon, çifti mund të vazhdojë të jetojë njësoj siç ka jetuar vitet e fundit dhe nuk përbën asnjë problem apo shkak për të mbërritur në dyert e gjykatës për divorc. Mirëpo nuk ndan të njëjtin mendim sopranoja, e cila në kërkesën e saj për divorc, me shumë finesë ka servirur si shkak për gjykatën arsyen e ftohjes dhe largësisë mes tyre. Inva Mula është paraqitur në zyrën e gjyqtares Elona Gjoka, që po shqyrton çështjen, vetëm për pak çaste, duke e konfirmuar vetë kërkesën e saj për divorc. Nga ana tjetër, nuk është paraqitur asnjëherë Pirro Çako, qoftë edhe për t’u përballur me njëri- tjetrin. Të dyja palët kanë zgjedhur avokatët për të transmetuar mesazhet mes njëri-tjetrit, të cilat duket se shpeshherë nuk përkojnë me njëra-tjetrën.
15 Maj 2010