Periudhë prove për anëtarët e rinj të BE-së, Rama: Mbështes propozimin e Kos, u jep të dyja palëve atë që kërkojnë

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, dolën sot para medieve lidhur me raportin e progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025.
I pyetur lidhur me deklaratën e komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, e cila ka sugjeruar se shtetet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian mund të kalojnë në një periudhë prove me mekanizma mbrojtës dhe tranzitorë, përpara anëtarësimit të plotë.
Rama tha se kjo është një ide që ai e ka hedhur publikisht prej shumë vitesh dhe që, sipas tij, mund t’i japë përfitime të dyanshme si vendeve anëtare ashtu edhe vendeve kandidate.
“Këtë ide e kam hedhur vetë shumë vite përpara dhe e kam përsëritur sa herë më është dhënë mundësia. I qëndroj kësaj ideje. Është një qasje që i ka rrënjët shumë thella në historinë e mendimit evropian dhe u jep të dyja palëve atë që kërkojnë, pa i krijuar probleme njëra-tjetrës”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se Shqipëria synon të ulet në tryezën e Bashkimit Europian si e barabartë, me akses të plotë në strukturat e BE-së, por pa të drejtë vetoje, në mënyrë që të mos krijohen shqetësime për vendet anëtare aktuale.
“Ne duam të bëhemi anëtarë të BE-së, të kemi akses në gjithë ngrehinën e saj – në legjislacion, buxhete e vendimmarrje. Ata duan të njëjtën gjë, por kanë frikë nga vështirësitë që sjell zgjerimi i mëtejshëm. Kështu që duhet gjetur një rrugë e ndërmjetme, e cila është pozitive për të dyja palët”, theksoi Rama.
Ai shtoi se Shqipëria ka bërë propozime konkrete për mënyra bashkëpunimi që nuk kërkojnë ndryshime traktatesh, por mund të realizohen përmes marrëveshjeve praktike.
“E rëndësishme është që ne të mos kemi veto dhe ata të mos tremben nga vetoja jonë. E përshëndes plotësisht idenë e Komisioneres Kos dhe nuk më gjen të befasuar, sepse këtë e kam propozuar prej kohësh”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri nënvizoi se ndryshimet në realitetin politik dhe institucional të BE-së kërkojnë përshtatje me kohën, ndërsa Shqipëria mbetet e gatshme të marrë pjesë në çdo diskutim që afron vendin më pranë anëtarësimit.
“Kohët kanë ndryshuar dhe duhet të adaptohemi. Duhet të gjejmë mënyrën që të jemi në tryezë, pa u kthyer shqetësimet e tyre në pengesë për ne. Ne duam të jemi pjesë e procesit, jo thjesht në pritje”, përfundoi Rama.
/e.xh/j.p/r.e/