E Diel, 1 Nëntor 2026

Përjashtimi i vajzave me shami, reagojnë myslimanët

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh revoltë për pengimin në ditët e fundit të dy nxënësve për t'u futur në mësim, për shkak të ferexhesë. Reagon Muca:"Qëndrimi ndaj shamive myslimane është një hap mbrapa. 

TIRANE-Përjashtimi nga shkolla i dy vajzave me shami brenda pak ditësh në qytetin e Burrelit si dhe deklarata e ministrit të Arsimit, Fatos Beja se, institucionet arsimore nuk janë vende të ushtrimit të fesë, ka shkaktuar pakënaqësi te Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe ai i Fierit. Kryetari i këtij komuniteti, Selim Muça është shprehur se qëndrimi ndaj shamive është një hap mbrapa. Ai ka kujtuar edhe njëherë Kushtetutën, e cila i garanton çdo shtetasi të drejtën për arsimin dhe liri besimi.
Selim Muça
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh revoltë për pengimin në ditët e fundit të dy nxënësve në arsimin parauniversitar, për t'u futur në mësim, për shkak të ferexhesë. Në një njoftim për mediat, ky komunitet konsideron si të nxituar prononcimin e ministrit të Arsimit dhe të Shkencës, Fatos Beja. "Qëndrimi ndaj shamive myslimane është një hap mbrapa, sidomos në një kohë kur Shqipëria është bërë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe pretendon të aplikojë për anëtarësimin në BE", - ka deklaruar kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça. Sipas tij, në vazhdën e përpjekjeve për zgjidhjen e këtij problemi, ai ka kërkuar edhe një takim zyrtar me ministrin e Arsimit, Beja, por ai nuk ka kthyer ende asnjë përgjigje. "Me këtë rast, Komuniteti Mysliman, si institucion mbrojtës i të drejtave të myslimanëve në Republikën e Shqipërisë, shpreh indinjatën e tij dhe të gjithë myslimanëve që përfaqëson ndaj fenomenit të përsëritur të privimit arbitrar të vajzave me shami nga e drejta kushtetuese për arsimim, duke deklaruar edhe njëherë se veshja e vajzave myslimane me shami koke nuk është simbol dhe indoktrinim fetar, por një obligim i besimit islam", - thuhet në deklaratën për shtyp të Komunitetit Mysliman. Ata kanë deklaruar, duke iu referuar Kushtetutës së Shqipërisë, se askush nuk mund të diskriminohet dhe të privohet nga e drejta e arsimimit vetëm për bindjet fetare. "Për këtë arsye, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kërkon që këtij problemi t'i jepet rrugëzgjidhje brenda kornizave kushtetuese, pasi asnjë rregullore, urdhër apo deklaratë, nuk mund t'i privojë asnjë njeriu të drejtat kushtetuese", - përfundon deklaratën kreu i KMSH-së, Muça. 
Bëhet fjalë për Florida Kolën, nxënëse në vitin e tretë të shkollës së mesme "Pjetër Budi", e cila disa ditë më parë nuk u pranua të ulej në bankë me urdhër të Drejtorisë Arsimore të Burrelit. Ndërkohë që të premten, nuk u lejua të ndiqte procesin mësimor as 14-vjeçarja Artenisa Neziri, nxënëse në klasën e nëntë në shkollën 9-vjeçare "31 Korriku", po në qytetin e Burrelit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›