Tiranë, arrestohen dy persona për drogë

Skuadra e Antidrogës në Policinë e Tiranës, ka goditur një pikë shpërndarje të drogës për të rinjtë e kryeqytetit. Për pasojë, uniformat blu kanë sekuestruar drogë dhe armë në një banesë me qira pranë gjimnazit "Partizani" dhe në një banesë tjetër në Vorë. Kështu, operacioni i koduar "Finish" ka sekuestruar 610 gramë heroinë e përgatitur për shpërndarje dhe kanë rënë në pranga dy poseduesit e drogës, kushërinj. Operacioni i organizuar gjatë natës të së premtes, ka çuar në pranga shtetasin Oltian Najtellari, 25 vjeç dhe kushëririt të tij, Matildo Mezini, të dy nga Korça. Skuadra e Antidrogës së Tiranës kishte të paktën një javë që survejonte lëvizjet e korçarit nga fshati Ravonik, i cili kishte marrë një banesë me qira pranë shkollës "Partizani". Najtellari, kishte pasur precedentë të mëparshëm me drogë në Korçë, ndërsa agjentët e kryeqytetit kishin zbuluar lidhje të dyshimta të tij me shpërndarës, përdorues dhe furnitorë droge në Tiranë. Najtellarit i është gjetur edhe një pistoletë tip TT, të cilën e mbante pa leje. Kontrolli në banesën e Mezinit ka zbuluar 275 gramë të tjera heroinë. Dy të ndaluarit janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku janë vënë nën akuzën e mbajtjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, ndërsa për Najtellarin, edhe armëmbajtje pa leje.