E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë-Romë, marrëveshje për ekstradimin

Ministri shqiptar i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, është takuar në Romë me homologun italian Alfano, por edhe ka firmosur marrëveshjen e përbashkët mes dy vendeve për ekstradimin e të dënuarve. Gjatë takimit, ministri italian i Drejtësisë shprehu gatishmërinë e qeverisë italiane për të qenë zëdhënës i qeverisë shqiptare në fushën e drejtësisë dhe marrjen e Presidencës së G8. Të dy ministrat shprehën angazhimin e Romës dhe Tiranës për transferimin sa më të shpejtë të të dënuarve shqiptarë, të cilët vuajnë dënimin e tyre në Itali dhe ekstradimin e subjekteve kriminale në kërkim nga shteti italian.

"Jemi në fazën e marrjes së produkteve të para konkrete, në rastin e transferimit të të dënuarve shqiptarë në Itali dhe në rastet e ekzekutimit të vendimeve penale të dhëna nga gjykatat italiane për shtetasit shqiptarë. Duke shndërruar një territor pa kufi, pa barriera, garant që emeton vetëm siguri dhe garanci për popullsinë shqiptare dhe atë italiane", është shprehur ministri Alibeaj menjëherë pas takimit. Nga ana e tij, ministri italian i Drejtësisë u shpreh se ishte i gatshëm për ngritjen e një grupi pune midis dy institucioneve që do të bënte të mundur shkurtimin e procedurave të transferimit të të dënuarve shqiptarë në Itali. Ministri Alfano shtoi se tashmë, mes dy vendeve nuk mund të flitet vetëm për marrëveshje transferimi të të dënuarve, por edhe për reforma në drejtësi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›