E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depresioni, vret veten brenda teqesë

Një 18-vjeçar nga fshati Levan i Tepelenës, por me banim në Fier, është vetëvrarë të shtunën në mbrëmje, brenda mjediseve të teqesë së fshatit. Policia tha fillimisht se ngjarja tragjike kishte ndodhur në rrethana të paqarta edhe për familjarët.

Ngjarja

Vetëflijimi ndodhi të shtunën, rreth orës 19:30, kur nga familjarët dhe bashkëfshatarët e tij është bërë një njoftim telefonik në sallën operative të Komisariatit të Policisë në Tepelenë. Pas telefonatës nga të afërmit e viktimës, banorë të fshatit Levan, ku kishte ndodhur vetëvrasja, në vendin e ngjarjes shkuan disa forca të policisë dhe grupi hetimor.

Policia

Sipas policisë, viktima quhet Amarildo Sulo Jahaj, i datëlindjes 1991. Ka lindur në Levan të Tepelenës dhe ishte banues në qytetin e Fierit. 18-vjeçari kishte pak orë që kishte ardhur nga Fieri në teqenë e fshatit ku kishte lindur. Pasi ka hyrë brenda objektit të kultit bektashian, në pak sekonda ka qëlluar veten me pistoletë.

Familjarët

Nga deklarimet e familjarëve, dhënë para ekspertëve të policisë, rezulton se 18-vjeçari vuante prej disa vitesh nga çrregullime të forta psikike dhe mendohet që ky të jetë edhe shkaku vetëvrasjes. Dëshmitarët nga fshati thanë se Amarildo ishte nisur që në mëngjes nga Fieri për të shkuar në Teqenë e Levanit, ku ka mbërritur rreth orës 19:00.

Kujdestari

Por meqë ishte errësuar, kujdestari i teqesë është përpjekur të ndalojë hyrjen e 18-vjeçarit Jahaj brenda objektit të kultit. Sipas kujdestarit, hyrja natën në teqe është rreptësisht e ndaluar nga vetë besimi. "U përpoqa ta ndaloj, por ai hyri brenda me forcë", ka treguar kujdestari i objektit të kultit bektashian. Dhe brenda pak sekondave, ai ka qëlluar veten me një plumb pistolete. Policia gjeti dhe sekuestroi në vendin e ngjarjes një pistoletë tip "Beretë" dhe një gëzhojë. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Gjirokastër tha se ka nisur hetimet për vetëvrasjen e 18-vjeçarit në mjediset e Teqesë së Levanit në Tepelenë.

Vetëm dy ditë më parë, një adoleshente u shpëtua në Tiranë, pasi tentoi të vetëvritej në mënyrë publike, duke u hedhur nga Ura e Lanës. Ajo ka tentuar të hidhet, pasi kishte frikë të kthehej në familje. 18-vjeçarja ishte marrë me dhunë nga xhaxhallarët, teksa festonte me shokët dhe shoqet e klasës. Policia shoqëroi dy xhaxhallarët e saj, ku kuptoi se ngjarja ishte edhe më e rëndë, pasi njëri prej tyre ishte vetë pjesë e uniformave blu. Hysni Ç., xhaxhai i vajzës së masakruar, nuk e ka pranuar se ka goditur adoleshenten, por edhe kjo nuk e ka shfajësuar nga prezenca, pasi ai është punonjës policie dhe nuk duhet të kishte lejuar që të ndodhte diçka e tillë. Në polici është shoqëruar edhe xhaxhai tjetër i vajzës së shpëtuar nga vetëflijimi.

Shkaqet

Arsyet që kanë çuar në vetëvrasje 53 persona në të gjithë Shqipërinë, që nga fillimi i këtij viti, janë nga më të ndryshmet. Burime nga policia bënë të ditur se shkaqet që çojnë në këtë krim janë edhe në varësi të grupmoshave. Në moshat e vogla, vetëvrasjet kryesisht u përkasin nxënësve të shkollës nëntëvjeçare. Nga analiza e të dhënave rezulton se ato, në të shumtën e rasteve, janë shkaktuar si rezultat i grindjeve në familje për motive kryesisht të dobëta, mospërputhjes së mentaliteteve midis brezave, dobësive në mësime, etj. Por këto janë raste më të rralla. Policia kohët e fundit ka arritur në konkluzionin, edhe nga ekspertizat që janë kryer në Mjekësinë Ligjore, se pjesa më e madhe e personave të vetëvrarë kanë vuajtur nga depresioni, por ka edhe raste kur kanë pasur probleme ekonomike dhe sociale.

Psikologët

Disa nga shkaqet që çojnë në vetëvrasje

1. Problemet mendore dhe depresioni

2. Problemet ekonomike

3. Problemet sociale

4. Grindjet familjare

5. Mospërputhja e mentaliteteve midis brezave

6. Dobësitë në mësime



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›