Retro/Histori: 19 dhjetor 1946 Lufta e Parë e Indokinës
Tradicionalisht Lufta e Parë e Indokinës thuhet se filloi më 19 dhjetor 1946 dhe ka zgjatur deri më 1 gusht 1954. Në fakt luftimet ndërmjet forcave franceze dhe kundërshtarëve të tyre Viet Minh në jug kishin filluar që nga shtatori i vitit 1945. Konflikti përfshiu një sërë aktorësh si trupat franceze, ushtrinë kombëtare vietnameze dhe Viet Minh-ët të udhëhequr nga Ho Shi Min dhe Vo Ngujen Giap. Shumica e luftimeve u zhvilluan në Tionkin të Vietnamit të veriut megjithëse konflikti përfshiu mbarë vendin duke u shtrirë në vendet fqinje, protektorat i Indokinës Franceze, si Laosi e Kamboxhia. Pas ripushtimit të Indokinës nga francezët, me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore Viet Minh-ët nisën një fushatë kundër autoriteteve franceze që qeverisnin kolonitë. Vitet e para të luftës nuk ishin më shumë se përplasje të vogla në nivel rural kundër autoriteteve koloniale. Megjithatë, kur komunistët kinezë arritën në kufirin verior të Vietnamit në vitin 1949 konflikti u shndërrua në një luftë konvencionale ndërmjet dy ushtrive të pajisura me armë moderne, të cilat jepeshin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik.