Përjashtohet nga seanca dhe i hiqet paga për një ditë deputetit Edmond Spaho, ofendoi socialistët

Deputeti demokrat, Edmond Spaho është përjashtuar nga seanca plenare e kësaj të enjte dhe i është hequr paga për një ditë pas fjalës ofenduese që përdori në Kuvend ndaj deputeteve socialistë.
Përjashtimi i tij është bërë me kërkesë të kreut të grupit të PS, Taulant Balla. Shkak për këtë është bërë fraza “bastard” që deputeti Spaho përdori duke iu referua kolegëve socialistëve gjatë fjalës së tij në podium.
“Kjo ka zgjidhje vetëm protestat. Nëse do të vijojmë këtu asgjë nuk do të ndryshojë. Nëse në vendet e tjera do bien çmimet pas gjashtë muajve kjo nuk do të ndodhë. Duhet të ngrihemi në protesta e ti rrëzojmë. Këto marrin vesh vetëm me këtë gjuhë. Nuk ka gjuhë tjetër që shkon me këta bastardë”, tha Spaho.
Menjëherë pas ofendimit Balla kërkoi marrjen e masës së përjashtimit pasi një fjalor i tllë është i papranueshëm në Kuvend.
“Fjala e fundit që the. Këtu del përjashta ti sot dhe nuk vjen më. Atë fjalën e fundit bastard zotëria nuk mund të rrijë më në këtë sallë. Të thirret komisioni përkatës. Ose bëhet njëri shembull tani dhe nuk mund të vazhdojmë më.
Të vijë një njeri pas shtatë gotave raki dhe të fyejë në këtë farë feje kjo nuk shkon. O e merr ndjesë dhe kërkon ndjesë për fjalën që tha ose zotëria sipas përcaktimeve që ka kodi i etikës. Nuk tolerojmë që të shkojmë në darkë te fëmijët dhe të pyesin fëmijët për këtë fjalë”, tha Balla.
/rtsh.al/