Përplasje brenda PD në Kuvend! Bardhi: Berisha urdhëroi deputetët të bashkojnë votat me Ramën! Noka: Jeni ‘fake opozitë’

Teksa elektorati demokrat pret që deputetët e zgjedhur prej tyre të përcjellin zërin e pakënaqësive dhe t’i kërkojnë llogari mazhorancës në Kuvend, PD në fakt e përdor këtë foltore për të akuzuar palët mes tyre. Deputeti Flamur Noka, i cili përkrahë grupin e Berishës, i ka cilësuar deputetët që përkrahin Enkelejd Alibeajn si “fake opozitë” të kapur nga Rama që e përdor atë sa herë i duhet. Ai madje hodhi akuza ndaj Gazment Bardhit se u bë deputet mbi gjakun e një personi duke i kujtuar vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.
“Përpos maskaradave që keni bërë dhe bëni, ju keni marrë një stil të keq vitet e fundit, të përdorni dhe opozitën. Të emëroni opozitën, të caktoni dhe opozitën, pavarësisht se demokratët e kanë caktuar kush është opozita. Ju përdorët opozitën e ‘koperatave’ për të votuar çdo bastardllik. Tani na keni gjetur një ‘fake opozitë’, nga opozita e ‘keperatave’ tek opozita e bravave, dhe merreni me Enkin, me Gazin, me Jorin e me të tjerët, dhe i keqpërdorni, i fshini, i hidhni i lani, i ricikloni i fusni prapë në përdorim që ju të vidhni që të pasuroheni, që ju ta shtypni këtë popull. Këtë keni mision ju, që të varrosni opozitën. E vetmja që ju kishte ngel pa kapur ishte opozita, ja ku i keni pengjet. I keni kapur, ju shërbejnë, ju servilosen, i urdhëroni si të doni. Opozitë nuk emëroni dot dhe as nuk caktoni dot. Na keni sjellë për të miratuar 2 komisione ua ka propozuar Enki, Gazi dhe Jori, komision për reformën zgjedhore dhe komision për reformën territoriale. A e dini ju që Enki, Gazi dhe Jorka nuk dalin dot nga shtëpia të takojnë elektoratin, që të marrin mendime për reformën zgjedhore dhe komision për reformën territoriale sepse nuk ju hap derën askush. Elbasani s’ka përfaqësues se nuk duan këta e ka tmerr Bardhi, Elbasanin i bie të fikët”, tha Noka
Nuk mungoi përgjigja e Gazment Bardhit i cili tha se Noka duhet të sqarojë demokratët se përse Berisha u ka dërguar mesazh deputetëve që të bëhen bashkë me socialistët për të rrëzuar komisionin e Investimeve strategjike. Ai tha se opozita duhet të denoncojë oligarkët e naftës, çmimi i të cilës ka shkuar në rekord, dhe jo të merret me kolegët brenda vetes.
“Në fakt do i kërkoj falje demokratëve që duhet t’i kthej përgjigje një kolegu nga opozita. Prita të fliste për naftën po drejtonte gishtat lartë e poshtë po nuk përmendi kush është oligarku i naftës. Dil atje e fol po ta mbajti, po nuk ke guxim ta përmendësh. Nuk ke guxim t’i përmendësh oligarkët që kjo ‘fake opozitë’ i përmend çdo ditë. Merri leje doktorit, dhe sqaro demokratët pse u bashkuat me PS-në për të bllokuar komisionin për investimet strategjike. Pse i ka nis Berisha mesazh deputetëve që të bëhen bashkë për të bllokuar komisionin. Sa për elektoratin unë nuk kam ardhur ndonjëherë në zyrën tënde, ti ke ardhur në 2020 dhe më ke thënë mos më ço në Kukës se më djeg anëtarësia e partisë”, tha Bardhi.
/rtsh.al/