"Përjetësi e një ditë" në Kinema Imperial
Filmi i regjisorit grek Teos Angjelopulos hap nesër Ditët e Kinemasë Greke
"Aleksandër, një shkrimtar i njohur grek, vuan nga një sëmundje e pashërueshme dhe vendos ta shpenzojë ditën e fundit të jetës së tij me një djalë emigrant 10 vjeç nga Shqipëria, i cili punon në rrugë".
Ky është me dy fjalë subjekti i filmit dramatik që shfaqet nesër në Kinema Imperial. "Përjetësi e një dite", një film i realizuar në vitin 1998 në Greqi, hap aktivitetin Ditët e Kinemasë Greke në Tiranë, 8-10 tetor në dy kinematë e vogla brenda mjediseve të Hotel Sheraton.
Interpretojnë aktorët Bruno Ganz (Alekasandër), Fabrizio Bentivoglio, Isabelle Renauld, Achilleas Skevis, Alexandra Ladikou, Eleni Gerasimidou etj. Me këtë film, regjisori dhe skenaristi i njohur grek, Teos Angjelopulos, ka fituar çmimin "Palma e Artë" në Festivalin e Kanës në vitin 1998 dhe ka shëtitur në kinematë evropiane e botërore.
Pas "Përjetësi e një dite", në ditët në vazhdim në kinema do të jepen "Të gjitha janë rrugë" e Pantelis Vulgaris, "Evdokia" e Aleksi Dhamianu, "Njeriu me karafil" e Nikos Ximas dhe "Korrigjimi" i Thanos Anastasopulos, si dhe disa filma me metrazh të shkurtër.