E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falsifikuan kolaudimin e pallatit, inxhinieri e pronari nën hetim

Arrest shtëpie dhe 2.5 milionë lekë garanci, masat e gjykatës për dy të akuzuarit

TIRANE- Dy inxhinerë, një prej të cilëve administrator i një kompanie private ndërtimi, janë marrë në hetim nga Policia e kryeqytetit me akuzat e "falsifikimit të dokumenteve" dhe të "mashtrimit me pasoja të rënda", duke ekzekutuar edhe masat e sigurimit ndaj tyre.


Leonard Gjergji, 57 vjeç, inxhinier dhe Pëllumb Çela, 56 vjeç, me profesion inxhinier dhe administrator i një shoqërie private, prej disa muajsh janë marrë nën hetim nga policia e Tiranës, të akuzuar për falsifikimin e dokumenteve të kolaudimit të një pallati me nr.31 në rrugën "Qemal Stafa".


Pallati i ndërtuar, për të cilin ishin falsifikuar dokumentet sipas policisë, në të vërtetë nuk ishte kolauduar ndërsa nëpërmjet këtyre veprimeve është kërkuar të kryhen veprime të tjera në favor të tyre nga të akuzuarit.


Lajmi është bërë i ditur dje nga blutë e kryeqytetit nëpërmjet një njoftimi zyrtar të dhënë prej tyre, pas ekzekutimit të vendimeve të gjykatës. Sipas kësaj të fundit, gjatë ditës së djeshme në kuadër të operacionit "Kulla", ishte ekzekutuar vendimi i 30 shtatorit të këtij viti ndaj Gjergjit dhe Çelës, për akuzat e ngritura ndaj tyre.


Leonard Gjergji, sipas burimeve të policisë, është ndaluar pasi ndaj tij ishte vendosur masa e sigurimit me arrest shtëpie, ndërsa ndaj pronarit të kompanisë së ndërtimit, Pëllumb Çela, është vendosur masa e sigurimit kundrejt garancisë pasurore.


Për këtë Gjykata kishte kërkuar 2.5 milionë lekë të reja. Falsifikimiet për të cilat akuzohen dy inxhinierët mësohet se janë kryer në vitin 2007, me qëllime përfitimi duke shmangur procedurat e zakonshme ligjore.


Gjatë komunikimit të masave të sigurisë të vendosura nga Gjykata e Tiranës të akuzuarit nuk kanë pranuar të kenë kryer veprimet e mësipërme të falsifikimit të dokumenteve. Ndërkaq, burime të grupit të hetimit kanë pohuar se për këtë qëllim ata kanë gjetur prova dhe fakte konkrete si dhe dëshmi të tjera të marra nga oficerët e policisë.


Gjithashtu Zyra e Antikorrupsionit, ka administruar një sërë dokumentesh të tjera që kanë të bëjnë pikërisht me këtë çështje që tashmë ndodhen në dosjen përkatëse në Prokurorinë e Tiranës. Pritet që masat e mësipërme të komunikohen në Gjykatën e Tiranës, gjatë ditëve në vazhdim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›