Zgjedhjet e pjesshme, PS nuk merr pjesë
KQZ caktoi dje afatet e regjistrimit për subjektet politike. PS-ja pritet të mos regjistrohet
TIRANË - Partia Socialiste nuk do të heqë dorë nga kërkesa e saj për transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Ky është kushti kryesor, që ajo ka vënë edhe për pjesëmarrjen e saj në Kuvend, ndërkohë që, e vetmja lëvizje politike që opozita do të ndërmarrë janë protestat të cilat do të shtrihen në të gjithë vendin.
Në funksion të zbardhjes së të vërtetës së zgjedhjeve të 28 Qershorit, socialistët duket se nuk do të bëhen palë në zgjedhjet e pjesshme, që do të mbahen në datën 15 Nëntor në 5 njësi vendore të vendit.
Burime pranë PS-së deklaruan dje për "Shekulli"-n se PS-ja nuk mund të bëhet pjesë e zgjedhjeve të tjera, sa kohë që nuk është bërë transparenca e zgjedhjeve të 28 Qershorit, e cila do të ishte rruga e vetme e shmangies së manipulimeve të reja, që mund të bëhen në zgjedhjet e afërme, ato lokalet. Për këtë arsye, Partia Socialiste pritet që të mos regjistrohet si subjekt politik pranë KQZ-së me qëllim pjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme.
Madje, opozita ka të gjitha gjasat që të mos marrë pjesë në bllok në zgjedhjet e pjesshme, por ky vendim pritet që të merret vetëm pas takimeve, që kryetari i PS-së, Edi Rama, do të zhvillojë me drejtuesit e partive aleate.
Ndërkohë nuk dihet ende qëndrimi, që do të mbajnë partitë e djathta që kontestuan zgjedhjet e 28 Qershorit, konkretisht demokristianët, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës.
Vendimi
Ndërsa dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori në shqyrtim përgatitjen e zgjedhjeve të pjesshme të datës 15 nëntor. Anëtarët e komisionit ranë dakord të përcaktojnë afatet ligjore, të cilat duhet të respektohen nga subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje.
Sipas vendimit, anëtarët e KZAZ-ve 2, 6, 36, 43 dhe 54 duhet të paraqiten nga partitë jo më vonë se data 12.10.2009, ndërsa emrat për anëtarët e KQV-ve duhet të depozitohen brenda datës 17 tetor.
Koalicionet duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim jo më vonë se data 15 tetor. Sipas vendimit, dokumentet e kandidatëve duhet të dorëzohen jo më vonë se data 18 Tetor, ndërsa akreditimi i vëzhguesve do të bëhet jo më vonë se 31 tetori. Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka dekretuar datën e zgjedhjeve të pjesshme në pesë njësi vendore.
Bazuar mbi këtë dekret, qytetarët do të ftohen në votime më 15 nëntor për të zgjedhur, kryetarin e minibashkisë numër 10 në Tiranë, kryetarin e komunës Otllak të Beratit, kryetarin e komunës Fierzë, kryetarin e Bashkisë Fushë-Arrëz dhe kryetarin e Bashkisë Klos.