Shqipëria thërret Kukelin

Shumë shpejt, Kombëtares shqiptare mund t’i bashkohet edhe një futbollist kosovar. Bëhet fjalë për Burim Kukelin, i cili mund të ndjekë rrugën e Alban Mehës për të debutuar shumë shpejt me Kuqezinjtë.
Mesfushori i Zurichut ka konfirmuar vetë se është në kontakte me drejtuesit e Federatës Shqiptarë të Futbollit dhe pret që shumë shpejt ta veshë fanellën kuq e zi. “Po, kemi kontaktuar. Është një kënaqësi enorme, sepse është një mirënjohje e sukseseve të mia”, thotë 28 vjeçari për magazinën zvicerane Blick.
Ka gjasa që Kukeli ta bëjë debutimin me Shqipërinë të premten e ardhshme, respektivisht më 7 shtator në Tiranë, në ndeshjen kualifikuese për botërorin ‘Brazili 2014’ ndaj Qipros. Dhe, katër ditë më vonë, më 11 shtator, ai mund të luajë pikërisht me Zvicrën, në kampionatin e së cilës luan që një kohë të gjatë.
Debutimi në futbollin ndërkombëtar do të ishte kulmi i karrierës së futbollistit gjakovar. “Nuk kam dëshirë të flas shumë për Kombëtaren para të hënës. Në këtë moment jam i fokusuar në ndeshjen e së dielës ndaj Baselit”, ka shtuar ai.
Gianni de Biasi e kishte vëzhguar nga afër Kukelin dhe e kishte ftuar më pas në Kombëtare për dy ndeshjet miqësore kundër Katarit dhe Iranit, të cilat ishte luajtur në muajin qershor. Por, Kukeli nuk kishte mundur t’i përgjigjej pozitivisht ftesës pasi nuk kishte lejen e klubit të atëhershëm – Luzernit.
Kukeli kishte shkuar në Zvicër që kur ishte katër vjeç, ndërsa më pas kishte krijuar miqësi dhe kishte luajtur me kapitenin e Zvicrës, Gokhan Inler për juniorët e ekipit FC Solothurn, e më pas edhe në Wangen bei Olten.
Ai më pas shkoi në SC Zofingen, ku luajti një sezon dhe karrierën e vazhdoi në ekipin FC Schötz. Kukeli në vitin 2008 firmosi me FC Luzernin kontratën e parë si profesionist. Aty luajti me sukses katër vjet, para se këtë verë t’i bashkohej Zurichut.
Me Kukelin numri i futbollistëve kosovarë që luajnë në Kombëtaren shqiptare mund të rritet në 10, pas portierëve Samir Ujkani e Etrit Berisha, mbrojtësve Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri e Mërgim Mavraj, mesfushorit Alban Meha dhe sulmuesve Besart Berisha e Ahmed Januzi.