E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkeqësimi i motit, Prefektja e Vlorës: Tre hidrovoret në gjendje pune, Shtabi i Emergjencave në gatishmëri

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Qarku i Vlorës pritet të përfshihet sot nga moti i keq me reshje intensive deri lokalisht shumë intensive.

Prefektja e qarkut të Vlorës, Evis Alushi në një konferencë për shtyp i bëri thirrje banorëve të ndihmojnë me aq sa munden dhe aty ku munden pranë bizneseve dhe shtëpive punonjësit e ndërmarrjes së bashkisë.

“Parashikohen 48 orë të vështira, për qytetin dhe për gjithë qytetarët si shkak i reshjeve me intensitet i lartë i shoqëruar edhe me erë të fortë. Shtabi i emergjencës është në krye të detyrës dhe i përgjegjshëm për vështirësitë dhe detyrat që e presin 48 orët në vazhdim dhe më tej”, theksoi Alushi.

Prefektja Alushi u shpreh se “ministri i Bujqësisë do të jetë pika e kontaktit që ne do të kemi në komunikimet e vazhdueshme përgjatë këtyre ditëve që parashikohen në Vlorë”.

“Gjatë një muaji që jam në krye të detyrës, prefektura i ka pasur prioritet hidrovoret e qarkut. Kam parë nga afër hidrovoret e qytetit që administrohet nga bashkia e Vlorës edhe në hidrovorin e Akërnisë, Goricës dhe të Orikumit, të cilat varen nga Drejtoria e Bordit të Kullimit në Fier”, u shpreh Alushi.

Aktualisht, vijoi Alushi, janë në gjendje pune dhe gatishmërie.

“Në rast reshjesh me intensitet shumë të lartë të gjithë e dimë që në qytet krijohet një rezervë uji në lagje dhe në rrugë dhe krijon një situatë të vështirë. Krijon vështirësi edhe në jetën në qytet, por me rënien e intensitetit hidrovoret janë në gjendje të largojnë ujin në lagje dhe rrethina brenda një kohe të caktuar, duke e kthyer situatën në normalitet”, tha Alushi.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›