E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkeqësohet bilanci i tërmetit, numri i të vdekurve arrin në 228

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Abruco (Itali)
Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar gjatë gjithë natës kërkimet nën rrënoja në Akuila dhe në qytetet përreth, për të gjetur njerëz të tjerë që mund të ndodhen gjallë nën rrënoja, por shpresat sa vijnë dhe shuhen. Tashmë në kërkimet e të mbijetuarve po përdoren qentë e kërkimit dhe vinçat, të cilët ditën e parë të kërkimit u evituan për shkak të dëmtimeve që mund të pësonin trupat që mund të ishin ende gjallë nën rrënoja

ABRUCO (Itali)- Ka shkuar në 228 numri i të vdekurve dhe 1000 i të plagosurve nga tërmeti me magnitudë 6.3 që goditi rajonin e Abruzos në Itali në orët e para të mëngjesit të së hënës. Nga këta, 17 janë ende të paidentifikuar, 50 të zhdukur, mbi 1000 të plagosur mes të cilëve 100 në gjendje të rëndë. Të pastrehët janë mbi 27 mijë, nga të cilët 10 mijë banorë në Akuila dhe 7120 mijë në provinca. Shifrat u bënë publike nga kryeministri italian, Silvio Berluskoni. Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar gjatë gjithë natës kërkimet nën rrënoja në Akuila dhe në qytetet përreth, për të gjetur njerëz të tjerë që mund të ndodhen gjallë nën rrënoja, por shpresat sa vijnë dhe shuhen. Dhe në fakt, mrekullitë mes rrënojave nuk kanë munguar. Një vajzë është nxjerrë e gjallë nga rrënojat në konviktin e Abrucos. Në Valeria Esposito, u nxor dhe trupi i pajetë i një tjetër studenti. Tashmë në kërkimet e të mbijetuarve po përdoren qentë e kërkimit dhe vinçat, të cilët ditën e parë të kërkimit u evituan për shkak të dëmtimeve që mund të pësonin trupat, që mund të ishin gjallë nën rrënoja. Mbrojtja civile njoftoi se 5.100 persona janë angazhuar në operacionet e kërkimit dhe ardhjes në ndihmë të popullsisë së prekur nga tërmeti, të cilëve u janë bashkuar edhe 1.300 ushtarë. Mbi 25 mijë persona kanë mbetur të pastrehë, ndërsa lëkundje të tjera me magnitudë 4.5 gradë të shkallës Rihter janë ndier edhe në orët e para të mëngjesit dhe drekës së ditës së djeshme. Lëkundjet e tërmetit janë ndier edhe në Romë. Pranë vendeve ku janë shembur ndërtesat shikon familjarë të dëshpëruar që kanë humbur të afërmit dhe shtëpitë e tyre. Disa ende shpresojnë se ekipet e shpëtimit do të jenë në gjendje të nxjerrin nga rrënojat të paktën trupat, nëse njerëzit nuk mund të shpëtohen. Shumë nga njerëzit pranë ndërtesave të shembura nuk duan të kthehen në shtëpi. Disa u kthyen vetëm për të marrë disa prej sendeve personale. Një pjesë e të pastrehëve kanë kaluar natën në tenda, ndërsa vullnetarët kanë mbërritur nga vende të ndryshme të Evropës në ndihmë të Italisë. Mediat bëjnë të ditur se qyteti i Akuilës, ku ishte epiqendra e tërmetit, tashmë i ngjan një qyteti fantazmë. Kryeministri Silvio Berluskoni premtoi se askush nuk do të braktiset. Ndërkohë, viktima e vetme në radhët e emigrantëve shqiptarë për momentin mbetet vogëlushi 4-vjeçar, Elsajed Boshti. Autoritetet vendase nuk raportojnë për viktima të tjera shqiptare. Shqiptarët e kaluan natën në tendat e krijuara nga autoritetet italiane, së bashku me të pastrehët e tjerë.

Berluskoni kthehet në Abruco
"Do ta rindërtojmë prapë, nuk jeni vetëm”
Akuila – Ka mbërritur për herë të dytë në qytetin e shkatërruar nga tërmeti, kryeministri italian, Silvio Berluskoni. Ai i është drejtuar kampit të Baxanos. “Nuk duhet të ktheheni në shtëpi”, - tha Kryeministri. “Nuk do t ju braktisim dhe qytetin do ta ndërtojmë shumë shpejt. Unë do të jem këtu çdo ditë”. Më pas Kryeministri shpalli dhe bilancet e deritanishme të viktimave, të humburve dhe të të plagosurve dhe tha se numri i tyre tashmë do të vërtitet rreth këtyre shifrave. Ai tha gjithashtu se SHBA ka marrë përsipër rindërtimin e kishave dhe qendrave kulturore.

Akuila
Sërish lëkundje të forta tërmeti
Dy lëkundje të forta u ndjenë sërish në qytetin mesjetar të shkatërruar nga tërmeti që goditi Italinë Qendrore. Pas tronditjes së parë u ndje edhe një e dytë më e fortë, e cila i ka lëkundur ndërtesat për gati një minutë. Tërmeti i parë ishte me fuqi 3.6 ballë të shkallës Rihter dhe i dyti me fuqi 4.7 ballë me epiqendër në Akuila, Kolimento dhe Vila Grande. Lëkundjet shkaktuan mjaft dëme në ndërtesat gjysmë të shembura nga tërmeti i parë.

Tërmeti
E moshuara mbijeton pas 30 orësh nën gërmadha
Një e moshuar afro 100-vjeçare, Maria D Antuono, u gjet e gjallë dhe u nxor nga rrënojat 30 orë pas tërmetit të fuqishëm që goditi dy ditë më parë Italinë Qendrore. Mediat italiane njoftuan se gruaja e vjetër ishte në gjendje të mirë shëndetësore, kur u nxor nga rrënojat orët e para të mëngjesit. Sipas agjencisë ANSA, Maria D Antuono, 98 vjeçe, tregoi se gjatë gjithë kohës nën rrënoja kishte punuar me grep në pritje të skuadrave të shpëtimit. Një grua shtatzënë është shpëtuar gjithashtu dje në mëngjes dhe është dërguar me helikopter drejt spitalit më të afërt.

Paganika
Shqiptarët: “Si i shpëtuam tërmetit”
Me pasojat e tërmetit tragjik në Akuila janë përballur edhe shumë shtetas shqiptarë, që jetojnë në këtë zonë. Televizioni Top Channel ka marrë rrëfimet e disa prej bashkëkombësve tanë pranë vendit të tragjedisë në fshatin Paganika në zonën e Abrucos në Itali. Emigrantët rrëfyen momentet e tmerrit dhe si mundën të shpëtojnë të gjallë pas tërmetit të fuqishëm. Pjesëtarët e familjes Mërtiri nga Kavaja, kanë qenë fatlumë, pasi kanë arritur të dalin nga rrënojat. “Lëkundjet e para i ndjemë në orën 10.00 dhe më pas në orën 01.00 dhe 03.30. Nuk dolëm nga shtëpia, pasi ishim mësuar me lëkundje të tilla, që vazhdonin prej muajsh”, - ka treguar njëra nga vajzat e familjes Mërtiri. Ajo tha se kishte shpëtuar falë ndërhyrjes së të vëllait. “Isha në krevat në gjumë, kur ndjeva se çatia më ra sipër. Sikur të mos ishte vëllai, nuk do të isha gjallë sot. Ai u fut në errësirë dhe më nxori jashtë”, - është shprehur mes lotëve vajza. Për nënën e saj, kjo është një jetë e dytë. Edhe shqiptarë të tjerë, banorë të Paganikës, kanë treguar se kanë vrapuar jashtë pasi kanë ndjerë lëkundjet dhe se shtëpitë e tyre janë dëmtuar dhe janë të pabanueshme.
Ky lajm është publikuar: 08/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›