E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkthyesi i Kadaresë: Ai, një shkrimtar i lindur/Intervistë me Joakim Rëhm, përkthyesin e Ismail Kadaresë

Më 14 nëntor ( në orën 20.00) në seksionin e letërsisë, këtë radhë do të kemi mik Ismail Kadarenë, një shkrimtar që prej shumë vitesh pret të marrë Çmimin Nobel në letërsi. “Homeri shqiptar" sapo ka promovuar në Shtëpinë Botuese “Ammann” në Zyrih, veprën e tij më të fundmit me tregime, përkthyer në gjuhën gjermane, me titull "Vjedhja e gjumit mbretëror". Përkthyesi Joakim Rëhm, "zëri gjerman" i Kadaresë, vlerësohet edhe si njohësi më i mirë i letërsisë shqiptare këtu në Gjermani.

Si përkthyes Ju jeni shndërruar më shumë se sa thjesht një interpretues, pasi Ju jeni dhe një ndërmjetës, në një mesazher kulturor. Çfarë shihni si më interesante tek Shqipëria?

Joakim Rëhm: Ndoshta Shqipëria mund të jetë vërtetë "sekreti i fundit i Europës", siç u përshkrua edhe së fundmi në një emision dokumentar të kanalit gjerman SËR. Megjithëse vendi në 20 vitet e fundit – pra që nga koha kur nisën ndryshimet politike në vend – ka njohur ndryshime radikale. Shqipëria tashmë është bërë një pjesë shumë më e fortë e një bote “normale". Gjithsesi, në shumë pikëpamje ajo mbetet një vend i panjohur. Kjo para së gjithash ka arsye historike: për 400 vjet, Shqipëria u gjend nën Perandorinë Osmane, dhe nga kjo kohë është përcjellë e ruajtur edhe praktika dhe tradita e moçme zakonore. Kanuni përmbledh shumë më tepër në vetvete se sa thjesht dhe vetëm gjakmarrjen legjendare. Në traditat e shqiptarëve renditen edhe besa dhe mikpritja.

Shqiëpria u gjend në kohët e komunizmit, pra në vitet pas Luftës së Dytë Botërore - deri në vitin 1991 - me statusin e një izolimi të ushqyer me vullnetin e vet. Si mund të ngrihet në një vend të tillë, një letërsi me përmasa botërore?

Rëhm: Letërsia botërore mund të lindë në çdo vend të botës. Në Shqipëri ajo po haset, na duhet të pohojmë, disi rrallë – për arsyen fare të thjeshtë, sepse, letërsia shqiptare akoma nuk ka ardhur në këtë botë. Kjo, siç thamë, ka arsye historike. Njerëz me arsim klasik nuk mund të gjenden. Gjë e cila në përgjithësi vlen për kulturën botërore, apo edhe për trashëgiminë kulturore botërore.

Përse pra Shqipëria me Ismail Kadarenë e saj, megjithatë këtu në Gjermani është shfaqur si një letërsi standartesh botërore?

Rëhm: Kjo më së shumti, falë talentit të tij të jashtëzakonshëm. Kadare ia ka dalë, para së gjithash, pas suksesit të vet botëror me "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", të përfitojë një lloj hapësire lirie, e cila ishte ekzemplare, e që në të njejtën kohë nuk e shndërronte atë në disident.

A mund ta karakterizoni dot Ismail Kadarenë?

Rëhm: Ai është për mua shkrimtari i lindur. Ai ka ardhur me një talent të atillë në këtë botë që i lejon atij të regjistrojë e të memorizojë si në një fotoaparat, çdo gjë çka ai përjeton. Unë njoh shumë autorë, por një të tillë ende s’e kam hasur. Përsa i përket sjelljes personale, ai është një njeri që s ‘bie shumë në sy e nuk përcjell madje, fare ndonjë karizëm të madhe – megjithëse ai gjatë leximeve, nëpërmjet letërsisë, ndikon e reflekton jashtëzakonisht karizëm.

Me çfarë po merret aktualisht Ismail Kadare, zoti Rëhm?

Rëhm: Vitin e ardhshëm do të dalë në dritë një roman, që në gjermanisht ndoshta do të mbajë titullin "Darka e gabuar". Me këtë vepër, ai gjen referenca tek

romani i tij i hershëm "Kronikë në gur"; një portret i qytetit të tij të lindjes, Gjirokastrës. Çdo roman të ri, ai i paraprin prej vitesh me shënimin apo paralajmërimin: "Ky tashmë është vërtetë libri im i fundit". Falë Zotit, ai sërish ka gënjyer.

Marrë nga: www.oberpfalznetz.de
Përktheu: Armand Plaka

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›