E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada Amerikane në Tiranë nxit arritjen e një zgjidhje konsensuale për grevistët deputetë

Ambasada e SHBA-së në Shqipëri, kofirmoi sot se "e ndjek nga afër situatën e grevës së dhjetë deputetëve të partive të vogla parlamentare dhe nxit arritjen e një zgjidhje nëpërmjet konsensusit". Zëdhënësi i ambasadës amerikane në Tiranë, Biks Aliu kometoi gjithashtu edhe çështjen e Kodit të ri Elektoral në Shqipëri. Sipas tij "rregullat, rregulloret dhe aspektet teknike të zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor kanë nevojë për një diskutim nëpërmjet mjeteve të hapura dhe bashkëpunuese. Zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri do të jenë një provë e vërtetë e nivelit të demokracisë së saj, ndërkohë që Shqipëria vazhdon rrugën e saj për një integrim të plotë euroatlantik", tha në përfundim, zëdhënësi i ambasadës amerikane në Shqipëri.

Zhvillim
Greva e dhjetë deputetëve të partive të vogla parlamentare, e cila zhvillohet nën moton "në mbrojtje të votës së lirë", ka hyrë sot në ditën e gjashtë të saj. Greva e dhjetë deputetëve, që zhvillohet në ambientet e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, mbahet në shenjë kundërshtimi ndaj Kodit të ri Zgjedhor, i cili dy ditë më parë mori dhe miratimin e komisionit të posaçëm parlamentar. Gjatë ditës së djeshme, deputetët grevistë u vizituan nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila është interesuar për shëndetin e tyre. Kryeparlamentarja kërkoi nga autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë, që përveç ekipit të mjekëve që kanë qëndruar jashtë ambienteve të Kuvendit, të vijnë dhe ekipe mjekësh të specializuar për të kontrolluar gjendjen e tyre shëndetësore. Jashtë ambienteve të Kuvendit kanë qëndruar dhe vazhdojnë të qëndrojnë dhe mbështetës të deputetëve në këtë grevë. Greva e dhjetë deputeteve të disa partive të vogla parlamentare nisi mbrëmjen e 10 nëntorit, në shenjë proteste ndaj Kodit të ri Zgjedhor, i cili sipas tyre "nuk është gjithpërfshirës, gjë që kompromenton procesin zgjedhor".

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›