E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkujtimi i rrëzimit të juntës shndërrohet në manifestime antiamerikane në Athinë e Selanik

Dy qendrat më të mëdha të Greqisë kanë qenë të hënën dëshmitare të protestave të fuqishme antiamerikane, të cilat kamufloheshin prej majtistëve si manifestime kundër shteteve që kishin përkrahur juntën e kolonelëve. Prej disa vitesh, rregullisht administrata amerikane i porosit shtetasit e vet, të jenë të kujdesshëm kur kalojnë në një shtet jomik si Greqia

Qendra e Athinës përjetoi të hënën një gjendje shtetrrethimi, teksa shumica e rrugëve ishin të mbyllura për automjetet, madje nuk lejohej as parkimi i tyre. Tetë mijë policë ishin në gjendje gatishmërie për të ruajtur rendin e qetësinë në kremtimin e përvjetorit të revoltës studentore, që shënoi fillimin e fundit për juntën 7-vjeçare të kolonelëve në Greqi. 35 vjet më parë, më 17 nëntor 1973, tanket e forcave të sigurisë mësynë në Universitetin Politeknik të Athinës, ku ishin ngujuar mijëra studentë, që protestonin prej disa ditësh kundër përpjekjeve të juntës ushtarake për të kamufluar sistemin dikatorial nën maskën e një republike presidenciale. Studentët e ngujuar arritën që të krijonin edhe një radiostacion, që përhapte valët e tij në të gjithë Athinën me kumtin “Ju flet Politeknikumi! Ju flet radiostacioni i studentëve të lirë luftëtarë! Ju flet radiostacioni i grekëve të lirë!”. Revolta studentore ishte vetëm një parathënie e rrëzimit të juntës, gjë që ndodhi 9 muaj më vonë, në korrik 1974, për shkak të grushtit të shtetit që organizuan kolonelët në Qiro dhe solli si pasojë pushtimin e pjesës veriore të ishullit nga trupat turke.
35 vjet më vonë, 17 nëntori kremtohet si një ditë stacion në historinë të re të Greqisë, megjithatë ajo u shndërrua në manifestime të mëdha proteste që majtistët grekë në të dyja qendrat e mëdha të banuara: në Athinë e në Selanik mbajtën përpara përfaqësisë së ambasadës amerikane (apo në Selanik në shënjestra të qarta të vendeve që mbrojnë interesat amerikane). Në homazhe e në protesta, spikasnin politikanët e krahut të matjë, të cilët vazhdimisht kanë tentuar pronësinë mbi revoltën e shkuar, por edhe copyright-in e qendrimeve të sotme antiamerikane. Përzierja e revoltave që solli në rrëzimin e juntës së kolonelëve grekë me ndjenjat shumë të ndezura antiamerikane që establishmenti majtist i politikës ka kultivuar prej vitesh, regjistron me disa kulminacione të vetat. Largimi i bazave ushtarake amerikane në 1982-in, me këmbënguljen e Andreas Papandreut, strehimi në Greqi i disa elementëve terroristë, kryesisht me frymëzim islamik, që paraqisnin rrezik për sigurinë e amerikës, por edhe qendrimet hostile, kur presidenti Klinton vizitoi vendin më 1999, apo protestat e furishme antiamerikane të viteve të mëpastajme, e kanë shndërruar shtetin helen në shtetin më antiamerikan të Evropës, duke ia kaluar bile edhe Francës, që shquhej për një qendrim alternativist lidhur me këtë çështje. Tashmë Greqia është sanksionuar një vend tek i cili amerikanët nuk kanë më besim, e duket se as administrata e re amerikane nuk ka ndërmend ta ndryshojë linjën zyrtare. Që në vitin 1994, rregullisht Departamenti Amerikan i Shtetit ka përcjellë një thirrje për kujdes për shtetasit amerikanë që jetojnë në Greqi, apo kalojnë tranzit aty. Ambasada amerikane në Athinë vazhdimisht i paralajmëron amerikanët se mund të përballen me ndonjë veprim të grekëve, e këta të fundit rastin e gjejnë gjithmonë, si dikur njohja nga qeveria amerikane e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues, përkrahja e pavarësisë së Kosovës më vonë, apo tash së voni edhe qendrimi i administratës Bush ndaj Iranit dhe Sirisë, duke i përvijuar ato si anëtare të boshtit të së keqes.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›