E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria s’e ka luksin të ngrejë edhe një mit për liderët e partive të vogla

Në demokraci, në detin e gjerë të ideve çdokush është i lirë të mendojë si i shkon përshtat dhe ka mundësinë të pëlqëejë ç’të dojë. Teksa po shfletoja faqet e një libri më hipën disa mendime retrospektive, një përzierje dëshire me lyp diçka nga historia e fqinjve e për të bërë një analogji midis analizës që i bën botës greke historiani Paul Veyne; një libër i shkruar për kënaqësinë e atyre që i bëjnë pyetje kohës ku jetojnë nese jemi një revival historik apo shtëpiak apo ndoshta po hapim një shteg të ri. Nuk e di, por e di!
Ai, historiani hap hapësirën për një analizë të ankthshme mbi problemin: se sa u besonin grekët miteve të tyre? Përfundimi ishte se nuk i besonin aspak, nuk ishin të budallallepsur, por u pajtonin sikur i besonin: natyrisht për doke ose/dhe zakone bashkësie; sepse gjykonin: kur jemi dakord edhe për gjëra që nuk ekzistojnë apo gjëra aspak të besueshme konfliktet ulen, bien përtokë. Në mënyrë analoge, theksonte Veyne, ndodhi me pjestarët e rinisë komuniste të Bashkimit Sovjetik apo gjetkë, nën gji ishin skeptikë për realizimine socializmit real, përkundrazi ishin të mendimit se ishte një hallakatje mendore, por përpara së të flisnin pro o kundra kësaj apo asaj doktrine e mendonin një qind herë para se të flisnin, nëse nuk e bënin i priste neni 55. Kështu që njerzit, të ndodhur në një regjim terrori që nuk lejonte mendimin ndryshe, të detyruar nga kufizime makabre dhe ekstraligjore, afërmendsh pastaj bënin të tyre idetë që kishin sipërfaqësorish mbi një gjë dhe jo ata ide që kishin nën gji.
***
Nejse. Tani ajo dëshirë për të cilën shkruajta në fillim po më lyp pyetje ndërvete: se sa shqiptarët besojnë në mitet e tyre? Dëshira sa vjen e rritet. Madje, pyes se si e ftillojmë injorancën kur na jepet mundësia më shpalos një përgjigje mbi çka kemi realizuar kaq e kaq vite mbas rënies së rendit skllavo-komunist. Së pari: natyrisht ateistët e bllokut besonin në trans-genderin e mirëfilltë marks-lenin-stalin në linjë zyrtare, në linjë personale flirtonin hëpërhë me djallin e egoizmit proporcional. Kësisoj mitet e tyre pozitive-negative farkëtonin njeriun e ri, homus mediocritas, tëpër hiprokrit për realitetin, por gustoja e tyre e parafinuar gllabëronte çdo instinkt për ta vënë në teatrin e kukullave. Fijet u mbanin nga sigurimi i bllokut që nga njëherë gërshërët fillonin aktivitetin stinën e mbledhje - korrjeve sepse vëmendja ndaj armikut që vinte nga shkretëtira e tartarëve do bënte gjëmën.
***
Miti më i ri në skenën alla-shqiptare është lufta mbi korrupsionin, një luftë e bujshme, me pak të vrarë, me shumë pengje e me shumëfishim llafesh. Një mit tepër i sofistikuar ku tentakulat e digresioneve spiunateske hyjnë e dalin nëpër skutat e politikës sikur të ishin në hanin e Ali Baba-së. ǒmitizimi i mitit korrupsion valëvitet në çdo odë partiake me zell, por mjerisht ndodhemi pa alternativa efikase në betejë. Kemi shumë kapedanë, herë Skëndërbe e herë Moisi Golem, por s’kemi strategji kapilare fitoresh. Parulla e sotme “korrupsionin nuk u solla unë, por e gjeta mes jush” do t’ishte idealja për një fillimin e marrjes në konsideratë të gjendjes distrofike të administratës. Në foltore muzika nuk ndryshon, po ashtu as demagogjia mbi mitin nuk ndryshon sepse ma shumë tregon edhe një herë tjetër impotencën kritike të shqiptarëve me dallue lajkat elektorale nga zbatimi i premtimeve boshe për barkboshët... Askush në Shqipëri s’mban një ditar politik a elektoral mbi atë çfarë ofrohet realisht me atë çfarë ofrohet imoralisht në një miting.
Mitet e vjetëra vijnë nga Oksidenti aq i dashur sa edhe i inflacionuar tejmase, jo si koncept, por si varkë shpëtimi. Ku trokitet pa turp sa herë interesa nganjëherë primare, nganjëherë subjektivisht personale, e tjetër herë si faktorizim politik në opinion. Dihet, perëndimorët i kemi idealizuar aq shumë duke i konsideruar si shpëtimtarët tanë qysh në qeverinë e parë shqiptare: Qemali.
***
Epi-fenomeni i trokitjes për hall në shtëpitë e tjerëve është diçka gjenetike vetëm tek ne. Madje sa që kjo dukuri konfirmohet edhe nga thëniet e kulturës folklorike si «buka e komshiut është më e mirë se e jona». Kjo ndodh edhe sot e kësaj dite ku duke mos pasur një vizion të qartë të problemeve, kuzhinierat e çorbës politike kridhen nëpër raport-progreset e çdo lloj organizatash të ndryshme, edhe atyre okulte, të institucioneve të ndryshme të huaja që shikojnë me dylbi problemet e shqiptarve. çdo mosmarreveshje apo kontradiktë kinse të dobisë së përgjithshme që tensionojnë marrëdhëniet ndërmjet forcave politike dhe grupimeve sociale: ish-të përndjekurit e shkretë, ish-pronarët, ish-sigurimsat- ish-ishat: ndërmjetësohet nga të huajt sepse s’dimë ta bëjmë vëtë!
Tani së fundmi gjullurdia e reformës elektorale që nuk është një problem parësor i shoqërisë shqiptare, sepse po të kishte një demokraci të qëndrueshme në Shqiperi ky problem do të ishte zgjidhur me kohë, por paranojat, babëzia për pushtet ka lënë në ërrësirë disa nga problemet reale të vëndit. Këtyre grevistëve s’u intereson aspak ideja e një mekanizmi elektoral që të jetë sa më produktiv më nxjerr një maxhorancë të qëndrueshme, atyre si intereson kjo sepse e dinë mirë se vetëm me një maxhorancë të cilësuar mund ti futesh me themel riformatimit të institucioneve të administratës publike aq inefikase, por interesi i tyre është krejt politiko-personal sepse kur ishin në postet qeveritare zotëritë nuk hapnin gojën kundër kompromiseve më të zeza të kësaj republike që kemi pasur nga ndërrimi i rendit. Ata janë viktima të një sistemi që kanë e ngritur e rregjur gjithë këto vite, pastaj doemos partitë kryesore të vendit nuk është se po bëjnë një reforme pa gabime, efekti më anësor do të ishte partitokracia. Pro-ja që mund t’i behet kësaj reforme është se nxjerr jashtë loje partitë e babëzisë korruptive, çerdhe të fortësh lagjeje që marrin votat me dhunë psikologjike etj. Partitë e vogla në Shqipëri kanë qenë gjithmonë çifligje tiranësh kinse me petk demokratik. Ai që s’e ka kuptuar akoma të kujtojë partinë që kishte nën drejtim ministrinë e Mbrojtjes gjatë Gërdecit apo ministrinë e Shëndetësisë gjatë drejtimit të grevistit në parlament. Kjo quhet hipokrizi e mirëfilltë!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›