Plani i OKB-së, një ringjallje e ëndrrës së Sheshelit për infektimin e kosovarëve me virusin e AIDS-it

Në të gjith historinë e saj, Kosova përbën një rast unikal për të gjith botën si një histori plot vuajtje dhe mjerim nën sundimin e një kombi fqinj si Serbia. Ky sundim i egër dhe barbar i ushtruar mbi një komb tjetër që nuk ka asgjë të përbashkët nga raca, gjuha, besimi fetar, është një shkelje flagrante e të drejtës ndërkombëtare të vetëvendosjes. Në këtë kontekst, në të gjithë kohën e kësaj tragjedie, sa më e madhe ka qenë shtypja mizore e Serbisë kundër popullit të Kosovës, aq më e madhe ka qenë edhe rezistenca e popullit të shtypur. Gjithë kjo periudhë e zgjatur në kohë dhe në të gjitha regjimet e Serbisë, është karakterizuar me luftëra të pandërprera dhe lumenj gjaku janë derdhur nga shqiptarët e Kosovës për aspiratën e lirisë dhe të pavarësisë. Gjenocidi serb për të sunduar Kosovën me agresion gjithnjë dhe vazhdimisht ka qenë i planifikuar me strategji kriminale si ato të hartuara nga akademia e shkencave të Serbisë. Kjo strategji krininale ka qenë e mbështetur në tre plane ogurzeza të shfarosjes së një kombi, si vrasjet masive, shpërnguljet masive dhe kolonizimi i Kosovës me serbë e malazezë. Këto tentativa kriminale gjithnjë kanë qenë të shoqëruara me një terror të pashembullt që kanë kushtuar gjithnjë dhe vazhdimisht qindra e mijëra jetë njerëzish të pafajshëm. Për fatin e keq të shqiptarëve të Kosovës, e gjithë kjo barbari në qendër të Europës së qytetëruar është parë me syrin qorr dhe veshin e shurdhër të shteteve dhe institucioneve të kësaj Europe, e cila duke qenë e influencuar nga Rusia, ka qenë e padrejtë në çeshtjen e drejtë të popullit të Kosovës. Gjenocidi serb kundër Kosovës ka transformuar strategjinë e tij kriminale në kohë të ndryshme në varësi të rrethanave. Në vitin 610 të erës sonë, kur historikisht serbët u vendosën në rajonin e Rashkës, duke dëbuar me dhunë avarët, ata nuk kishin shtet të tyre, por vetëm disa territore fisnore të quajtura “zhupa”dhe kësisoj edhe kryetari i fisit quhej “zhupan”. Që nga ajo kohë, agresioni serb kundër shqiptarëve nuk është ndalur në pushtimin me dhunë të tokave të tyre. Tradhtia e komunistëve shqiptarë me Enver Hoxhën në fundin e luftës së dytë botërore që u vërsulën ushtarakisht mbi Kosovën duke ia dorëzuar atë Serbisë, përbën një moment tjetër të zgjatjes së agonisë së tmerrit të popullit të Kosovës nën pushtimin serb. Për të ardhur në vitin 1998, kur kasapi i ballkanit Millosheviç ftoi të hynte në qeverinë e tij radikalin nacionalist serb Sheshel. Është veçanërisht i trishtueshëm fakti i planit serb për të shfarosur popullin shqiptarë të Kosovës me sëmundjen e tmerrshme të SIDA-s. Në librin e tij të famshëm “Kosova, një histori e shkurtër”, doktori në histori në universitetin e Kembrixhit, Noel Malkolm shkruan: “Shesheli njihej për qendrimet e tij ekstreme lidhur me çeshtjen e Kosovës dhe publikisht e kishte mbrojtur idenë e politikës që të gjithë shqiptarët të infektoheshin me virusin e AIDS-it. Pjesa më e madhe e spektrit politik të Serbisë (përjashtim bën vetëm partia e vogël e Aleancës qytetare) ishte armiqësore ndaj shqiptarve” - (Noel Malcolm,Kosova një histori e shkurtër,fq.26,botim i dytë). Pa asnjë fakt tjetër, vetëm ky do të mjaftonte që mundësia e bashkëjetesës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të jetë absolutisht e pamundur. Nuk mund të ketë asnjë shembull tjetër në historinë e popujve të botës, që një komb të përpiqet të shfarosë një tjetër në mënyrën më barbare. Në këtë kontekst barbarët nuk mundet të krahasohen. Në vitin 1998-99, Millosheviçi dhe kasta e tij kriminale ishin të angazhuar me çfarëdo mjeti per të shfarosur popullin shqiptar të Kosovës. Ishte përkrahja e fuqishme e Amerikës dhe e Europës që këtë radhë në momentin më dramatik kur Kosova ishte në zgripin e shfarosjes masive, në kuadrin e NATO-s e detyroi Kasapin e Ballkanit të dorëzohej me turp dhe të përfundonte ashtu si përfundojnë rëndom kriminelët.
Sot, në vakumin e kalimit të pushtetit për Amerikën, kur Presidenti i zgjedhur do të marrë detyrën në Shtëpinë e Bardhë me 20 Janar, qarqet antikosovare në botë me në krye Rusinë po bëjnë përpjekje për të shfrytëzuar në njëfarë mënyre “përgjumjen” e Amerikës, duke intensifikuar luftën kundër pavarsisë dhe mundësisht duke kerkuar destabilizimin e Kosovës. Në këtë pikëpamje plani prej 6 pikësh i Ban Ki Mun është një orvatje tinzare dhe e rrezikshme e nxitur nga diplomacia ruso-serbe kundër Kosovës. Në këtë mënyrë plani i Ahtisarit për pavarësinë e Kosovës injorohet plotësisht duke vënë në pikëpyetje të gjitha arritjet dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Kundërshtimi që po i bëjnë planit të Ban Ki Mun udhëheqësit e Kosovës është për t’u përshëndetur dhe përkrahur fuqishëm nga gjithë faktori shqiptar në botë dhe sidomos nga diplomacia shqiptare. Servilizmi diplomatik në momentet kur interesat kombëtare janë seriozisht të rrezikuara përbën një gabim të rendë dhe të pakorrigjueshëm. Duhet të marrë fund mendimi se gjoja Shqipëria duke qenë konstante e një politike që çeshtja e Kosovës të përkrahet me parametrat që do të vendosin BE, do të ndihmojë marrëdhëniet me Europën. Asnjë pazar nuk mund të bëhet në kurriz të Kosovës, gjoja duke përshpejtuar hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe BE. Shqipëria ia ka me borxh në brezat që do të vijnë Kosovës dhe popullit të saj që gjithnjë dhe vazhdimisht është sakrifikuar për interesat kombëtare. Plani i 6 pikëve i Ban Ki Mun duhet hedhur poshtë nga i gjithë faktori shqiptar i kudondodhur. Ai është një përpjekje e pashpresë për t’ia lënë Kosovës së pavarur një fitil të ndezur që do të shperthejë në çdo kohë duke e destbilizuar të gjith rajonin e Ballkanit.
...