E Martë, 3 Nëntor 2026

Përkujtohen të rënët e 2 Prillit në Shkodër, Beci: Respekt përjetë dëshmorëve të Demokracisë

TIRANË, 2 prill/ATSH/ Bashkia Shkodër nderoi sot heronjtë e demokracisë në 34-vjetorin e 2 Prillit me anë të një ceremonie pranë memorialit që përkujton ngjarjen.

Nënkryetarët Teuta Qyteza dhe Alban Preka , së bashku me kreun e Këshillit Bashkiak Oltion Luli, vendosën kurora me lule në përkujtim të katër të rinjve që dhanë jetën për liri.

Po ashtu, kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci përkujtoi sot të rënët e 2 Prillit 1991, gjatë një proteste në këtë qytet kundër diktaturës.

“Respekt përjetë dëshmorëve të demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka”, u shpreh Beci në rrjetet sociale, ku ndau dhe pamje nga Shkodra e asaj kohe dhe protestat e zhvilluara.

2 Prilli mbetet një datë simbol e qëndresës qytetare ndaj diktaturës dhe e rrugëtimit të pandalshëm drejt demokracisë.

Protestat kundër regjimit diktatorial në 2 prill të vitit 1991, i morën jetën katër të rinjve studentë në qendër të Shkodrës. Shpallja e protestave në të gjithë Shqipërinë, arriti pikën kulmore në kryeqendrën e veriut, nga ku u demonstrua hapur qëndresa e studentëve dhe popullsisë vendase, për të rrëzuar regjimin. /r.e/

1 nga 7

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›