Zgjedhjet e 11 majit, Zannier: Monitorojmë edhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR

TIRANË, 2 prill/ATSH-Maela Marini/ Ambasadori Lamberto Zannier, kreu i misionit të vëzhgimit të ODIHR-it, nënvizoi sot se gjetjet e parregullsive zgjedhore do të përfshihen në raportet e këtij misioni për zgjedhjet e 11 majit.
Gjatë një konference për shtyp, në nisje të punës së misionit të monitorimit të OSBE-ODIHR-it, ambasadori Zannieri u pyet edhe mbi rolin e SPAK në rastet e hetimit të krimeve elektorale.
Ambasadori theksoi se ka arritur në Shqipëri vetëm dje dhe do ta shohë edhe këtë iniciativë të SPAK, ndërsa për momentin nuk ndau asnjë opinion për këtë çështje.
Ndërkohë pyetjes nëse do të ndahen me SPAK informacionet nga terreni të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it në rast të krimeve zgjedhore, ambasadori Zannieri iu përgjigj se “për sa i përket gjetjeve që ne do të kemi, do t’i qëndrojmë mënyrës se si ne operojmë”.
“Gjithmonë të gjitha gjetjet tona do të përfshihen në raportet tona. Ne nuk jemi këtu si mision për të kryer funksione apo detyra të tjera. Sigurisht që jemi shumë të angazhuar për të bashkëpunuar me autoritetet në vend. Sigurisht që do të performojmë duke bashkëpunuar në mënyrë konsistente me ata, por gjetjet tona të parregullsive zgjedhore gjatë misionit do të përfshihen në raportet tona”, shtoi ai.
Sa i përket rekomandimeve të ODIHR që ende nuk janë zbatuar, Zannier theksoi se misioni ka diskutuar me aktorët politikë dhe institucionalë për kuadrin ligjor dhe zbatimin e tij.
“Puna jonë është të monitorojmë ku jemi me kuadrin ligjor dhe rregullator dhe zbatimin e tij. Ne diskutuam edhe me aktorët kryesor në vend dhe e dimë se puna për zbatimin e rekomandimeve vazhdon. Për rekomandimet puna vazhdon në disa mënyra, e para përmes Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Puna jonë këtu është jo të shtyjmë zbatimin e tyre pikërisht tani, por të ngremë problemet që shohim, të vëzhgojmë dhe të tregojmë se ku jeni me raportet tona dhe kjo është në njëfarë mënyre presioni për zbatimin e rekomandimeve”, shtoi ai.
Misioni i OSBE/ODIHR do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet zgjedhore në Shqipëri, duke siguruar një proces transparent dhe të monitoruar në përputhje me standardet ndërkombëtare. /j.p/r.e/