Përkujtohet 130-vjetori i vdekjes së Hasan Tahsinit
Hoxhë Tahsini ishte më i larti ndër të lartët… Ishte një nga ata njerëz të mëdhenj që qindvjeçarët dhe kohët i nxjerrin rrallë e me vështirësi të madhe. Titulli dijetar në vendin tonë i takon vetëm atij e askujt tjetër. Kështu do të thoshte një nga rilindësit tanë më të mëdhenj, Sami Frashëri. Me rastin e 130-vjetorit të vdekjes së Hasan Tahsinit (1812 1881), në sallën Aleks Buda të Akademisë së Shkencave u organizua dje sesioni përkujtimor për nder të figurës së shquar. Referuan në të studiues të njohur, si Gjergj Sinani, Ramiz Zekaj, Ibrahim Gashi etj., të cilët hodhën dritë mbi rolin e Hasan Tahsinit si dekan i rilindësve shqiptarë, si dhe mbi kontributin e tij në fushën e Astronomisë, Psikologjisë, Filozofisë dhe Gjuhësisë. Sesioni përkujtimor u organizua nga Shoqata Kulturore Shqiptaro Turke Hasan Tahsini, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), Qendra Kulturore Turke Yunus Emre dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë.