E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perkujtohet 66-vjetori i kryengritjes antikomuniste te Postribes

Kryengritja e Postribës është dhe mbetet në historinë e lirisë së shqiptarëve, ngjarja me e madhe, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Ky ishte vlerësimi i ardhur sot nga Kryeministri, Sali Berisha gjatë ceremonisë së përkujtimit të 66 vjetorit të Kryengritjes së Postribës, të organizuar në 9 shtator 1946. Ajo ishte kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri dhe në Evropë. Në këtë ceremoni morën pjesë Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli, deputetë të zonës, Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Lorenc Luka, përfaqësues të qeverisjes vendore, Kryetari i Komunës së  Postribës, familjarë të pjesëmarrësve në këtë kryengritje, banorë të zonës, etj. Fillimisht, Kryeministri Berisha dhe personalitetet e tjera vendosën kurora me lule dhe bënë homazhe te Memoriali kushtuar kësaj ngjarjeje historike, në qendër të komunës Postribë. Ndërkohë që shenjë simbolike Kryeministrit Berisha i dhuruan një Flamur të qëndisur të studentëve të shkollës “Adem Haxhia”. Duke shprehur kënaqësinë e madhe dhe falënderimet për këtë dhuratë, Kryeministri vlerësoi se “ky flamur, në qelizat e të cilit prehen shpirtrat e martirëve të Postribës, por dhe të gjithë martirëve të Shqipërisë, është flamuri me i bukur që ka toka sot”. Gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, kreu i qeverisë shprehu nderimin më të thellë të tij dhe të mbarë kombit shqiptar, për këtë ngjarje që, sipas tij, shndrin e do vazhdojë të shndrijë përjetë në historinë e njerëzve të lirë. Gjithashtu, Kryeministri deklaroi se “sot ne shqiptarët ecim të lirë në rrugën e idealeve fisnike të kryengritësve të Postribës, por dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e atdheut, sepse ne kemi realizuar ëndrrën madhështore për të cilën ata sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre”.  Po kështu, kreu i ekzekutivit rikujtoi faktin se ëndrrat, sakrificat dhe përpjekjet e pjesëmarrësve në atë kryengritje u bënë realitet. “Ata donin që Shkodra, Postriba dhe Shqipëria, të mbanin syrin, shikimin, drejt perëndimit, drejt familjes së kombeve që vendi i tyre u përkiste, donin që qytetarët shqiptarët të besonin të lirë te Zoti, Krishti, Muhamedi dhe e ardhmja e tyre. Ne po ecim në rrugën e idealeve të tyre fisnike”, vuri në dukje Kryeministri Berisha.
Duke marrë fjalën në një ceremoni të tillë, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli falënderoi organizatorët për ftesën dhe organizimin e përvitshëm të ceremonisë në nderim të Kryengritjes së Postribës, të kryengritjes  së parë antikomuniste në Shqipëri dhe në Evropën Lindore. “Sot në këtë 66- vjetor të Kryengritjes së Postribës natyrisht reflektimi ynë shkon edhe më thellë sepse jemi në vitin jubile, të artë të 100- vjetorit të Pavarësisë. Çdo krahinë e Shqipërisë, çdo zonë e Shqipërisë e konsideron këtë vit dhe këto muaj si krenarinë, mendimin dhe lirinë. Ne sot, së bashku kemi kohë për të bërë 2 minuta reflektim. Ajo ishte një ngjarje që tregon se ju guxuat. Ju ishit të parët. Ju guxuat të parët. Sigurisht edhe reaguat të parët”- tha Kryeparlamentarja Topalli  Për këtë arsye, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi faktin se sot shqiptarët janë krenarë për këtë 100-vjetor, pasi janë të lirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›