Përkujtohet 75 vjetori i Pjetër Arbnorit
Jeta e Arbnorit, një sfidë e pandërprerë titullohej aktiviteti përkujtimor, që u zhvillua me rastin e 75-vjetorit të lindjes së Pjetër Arbnorit. Dokumentari i përgatitur por edhe botimi i librit me letra nga burgu Shumë e dashura nanë i kanë ndihmuar të pranishmit në këtë aktivitet të thellohen në kujtime. Zv. Ministri i Kulturës Nikollë Lesi e vlerëson figurën e Pjetër Arbnorit si Mandelën shqiptar. Iniciuesi i parë në kushtet kur mbretëronte PS për krijimin e pluralizmit
politik dhe për këtë ai përparimet demokratike dhe lirinë e mendimit u privua u arrestua dhe u kthye në një Mandelë shqiptare,u shpreh zv.ministri Lesi. Më tej gjatë fjalës së tij ai shtoi se: Arbnori mbetet edhe pas viteve '90 si një kryetar parlamenti dhe politikan simbol i politikanit të paqes, tolerancës dhe mirëkuptimit. Ceremonia përkujtimore që u zhvillua dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar parashikonte edhe një vizitë në familjen e Arbnorit si dhe në studion e tij të kthyer tashmë në një muze. Lindur në Durrës me 18 janar 1935 që 14 vjeç fillon të marrë pjesë në grupet ilegale kundër diktaturës. Mbaron në dy vjet e gjysmë studimet në Fakultetin e Filologjisë me rezultate të shkëlqyera. Merr pjesë në krijimin e një organizate social-demokrate, programin e së cilës e hartoi vetë. Më 1961 arrestohet dhe dënohet me vdekje. Pas tre muajsh dënimi i zbret në 25 vjet burg. Si pasojë e aktivitetit të tij në burg, i shtohet dënimi edhe me dhjetë vjet për agjitacion e propagandë. Në gusht 1989 lirohet nga burgu pas 28 vjet e gjysëm. Merr pjesë që në fillimet e para të lëvizjes antikomuniste me 14 janar 1990. Zgjidhet kryetar i PD-së për Shkodrën. Më 1992 dhe 1996 zgjidhet kryetar i Kuvendit Popullor. Ka marrë titullin "Mësues i Popullit" dhe "Pishtar i Demokracisë". Gjithashtu është "Oficer i Madh i Urdhërit të Plejadës" nga Asambleja e vendeve frëngjishtfolëse. Instituti biografik i Kembrixhit, e futën biografinë e tij në "Who's Who" të intelektualëve dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar. Ka shkruar shtatë romane dhe ka botuar: "Mugujt e mesjetës" - novelë, "Kur dynden Vikingët" - novelë, "E bardha dhe e zeza", "E panjohura, Vdekja e Gebelsit", etj. dhe ka përkthyer nga frëngjishtja "Historia e Anglisë".