Ministria e Financave: Ja e vërteta e mbylljes së gazetës Tema
Botuesi i gazetës Tema, Mero Baze akuzon qeverinë për sulme financiare Ministria e Financave, ka reaguar menjëherë ndaj deklaratave të bëra nga Mero Baze, i cili akuzonte qeverinë dhe ministrinë për mbylljen e gazetës Tema. Ministria e Financave ka reaguar pas deklarimit të mbylljes së gazetës së përditshme Tema, e administruar nga Mero Baze. Në njoftimin e shpërndarë për median thuhet se në lidhje me pretendimin e Mero Bazes për mbyllje të gazetës Tema për shkak të kontrolleve selektive financiare dhe presionet që
nisin nga bilancet e gazetës prej vitit 2004, Ministra e Financave sqaron se nga informacionet që rezultuan pas verifikime që ministria bëri Baze, ka qenë në kontakt me organet fiskale në dy raste. Sipas deklaratës së Ministrisë së Financave kontrollet mbi gazetën Tema, nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, janë bërë për shkak se në bazë të analizës së riskut kjo kompani prej kohësh ka pasur mungesa në deklarimet periodike të veprimtarisë së saj, përfshi dhe mosdorëzimin e bilancit financiar të vitit 2008. Së pari, sqarojnë financat, si rezultat i kontrollit që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në muajin dhjetor 2009, ka programuar dhe filluar në kompaninë Media Enter, me ortak të vetëm dhe administrator Besnik Sula, ky kontroll ka ardhur për shkak se në bazë të analizës së riskut kjo kompani prej kohësh ka mungesa në deklarimet periodike të veprimtarisë së saj, përfshi dhe mosdorëzimin e bilancit financiar të vitit 2008. Si rrjedhoje kjo kompani ka detyrime tatimore të papaguara. Bëjmë të ditur se kompania në 5 vitet e fundit, nuk është kontrolluar asnjëherë në organet tatimore, çka rrëzon pretendimin e Mero Baze për kontrolle selektive nëse i referohet këtij rasti, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave. Gjithashtu në deklaratë thuhet se sipas dokumentacionit të QKR, kjo kompani, ka ndërruar pronarë dhe megjithatë në asnjë rast nuk është bërë pagimi i detyrimeve që lind nga transaksioni i shitjes së kompanisë. Kontrolli tatimor është në proces dhe akoma nuk është konkluduar për rezultatet e këtij kontrolli, të cilat do ti bëjmë të njohura në përputhje me legjislacionin. Së dyti, shoqëria Media Soft Albania, që sipas dokumentacionit të QKR rezulton të jetë regjistruar në Nëntor të vitit 2005, në pronësi të Festim Bajrami, dhe administrator Mero Baze, ka kryer veprime zhdoganimi të një shtypshkronje në vitin 2006, dhe nuk ka shlyer detyrimet doganore edhe pas afatit ligjor për pagimin e këtij detyrimi në shumën 4,821,250 lekë, dhe aktualisht ka akoma të papaguar shumën prej 3,321,250 lekë pa përfshirë kamat vonesat, për të cilat kanë filluar procedurat e nxjerrjes me forcë të detyrimeve doganore, në përputhje me aktet ligjore , thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave, vijon më tej deklarata. Vetëm në këto dy raste Ministria e Financave e sheh Bazen të përfshirë në kontrolle të organeve fiskale, por duket qartë se në asnjërin prej tyre këto organe nuk janë në pozita selektive e tendencioze, por përkundrazi kanë treguar tolerancë të pajustifikueshme në zbatimin e ligjshmërisë. Deklarata e BazesAdministratori i gazetës Tema, Mero Baze ka theksuar se kjo gazetë mbyllet pas rreth 11 vitesh në treg. Ai ka theksuar se gazeta ka falimentuar për shkak të vështirësive të mëdha ekonomike, vitin e fundit. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Baze, në një editorial të publikuar të titulluar Një fund, por jo fundi për lirinë e medies, ku thekson se gazeta u mbyll në kushtet e bllokimit arbitrar prej policisë dhe shkatërrimit të investimeve të saj. Ai ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se ka shpërblyer median pranë saj, ndërkohë që ka goditur mediat që kanë denoncuar korrupsionin. Duke pushuar së dali në treg pas 11 vitesh mbijetese, ne, pak gazetarët e mbetur në këtë gazetë, po aq pak sa kanë qenë kur e nisëm, nuk ndjehemi të frikësuar për të ardhmen tonë personale, dhe as jemi duke i kërkuar dikujt të solidarizohet me gjestin tonë pas mbylljes së gazetës, shkruan Baze në editorialin. Sipas tij, Gjykata e Tiranës e cila duhej të shqyrtonte padinë e ngritur ndaj Ministrisë së Rendit për shkatërrim të pasurisë dhe investimit të bërë pranë ish-Tipografise ushtarake, ende nuk ka bërë seancën e parë të rregullt gjyqësore pas më shumë se një viti nga koha kur është ngritur padia.Taulant Halili
Last Updated on E Shtune, 23 Janar 2010 22:25