Përkujtohet “Dëshmori i Atdheut” Adrian Kodra, Oficeri i FNSH-së u vra 10 vjet më parë gjatë një operacioni policor

Dhjetë vite pas rënies në krye të detyrës, kolegë, familjarë dhe përfaqësues të institucioneve janë përkulur me nderim përpara kujtimit të efektivit të FNSH-së Shkodër, Dëshmorit të Atdheut, Adrian Kodra.
Ceremonia përkujtimore u zhvillua pranë Varrezave të Dëshmorëve në Shkodër, ku u vendosën kurora me lule dhe u nderua figura e efektivit që humbi jetën në krye të detyrës.
Oficeri Adrian Kodra humbi jetën më 2 shtator të vitit 2016, në Torovicë të Lezhës, i qëlluar për vdekje me armë zjarri nga një person i armatosur, gjatë operacionit policor për arrestimin e tij.
Kodra shërbeu për 19 vite në radhët e Policisë së Shtetit, duke kontribuar në përmbushjen e detyrave të tij në shërbim të rendit dhe sigurisë publike. Për aktin e tij sublim, rënien në krye të detyrës, Adrian Kodra është shpallur Dëshmor i Atdheut.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/