E Diel, 1 Nëntor 2026

Larmi aktivitetesh gjatë shtatorit në Gjirokastër, kinema, festivale rinore, ekspozita dhe histori

Kalendari artistik e kulturor për muajin shtator në qytetin e gurtë starton me aktivitete kushtuar të vegjëlve dhe të rinjve, ku Sheshi “Çerçiz Topulli” mirëpret dy netët e “Check In Festival”, duke sjellë energji rinore në zemër të qytetit.

“E nisim me festivalin Çekin Festival në Gjirokastër ku do të kemi këngëtarë të mirënjohur të muzikës shqiptare. Nga ana tjetër do të kemi në kinema filma të ndryshëm për vogëlushët. E sigurisht do të jenë të përfshirë edhe muze të qytetit”, tha për RTSH Dorina Muhaj, Drejtoreshë e Agjencisë për Aktivitetet dhe Turizmin.

Data 18 shtator shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin e Bashkisë Gjirokastër për këtë muaj, 82-vjetorin e çlirimit të qytetit.

“Duke përfshirë mëngjesin me vendosjen e kurorave, paradën e bandës, e cila do të nisë e shoqëruar edhe me fëmijë të qytetit nga sheshi i farmacive deri në varrezat e dëshmorëve. Më pas do të kryhen homazhet dhe do të zhvillohet edhe një aktivitet i përgatitur nga fëmijët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Fato Berber.”

Mbyllja e muajit sjell aktivitete festive në njësitë administrative.

“Sjellim si një prej aktiviteteve të cilin ne do ta zhvendosim në njësinë administrative Lunxhëri. Bëhet fjalë për reçelin e Anesë, një aktivitet i cili do të përfshijë të rritur edhe fëmijë ku do të marrin pjesë në përgatitje, në vjeljen e produkteve dhe në përgatitjen e produktit final i cili do të jetë reçeli i frutave të sezonit që ne ndodhemi.”

Nuk do të mungojnë edhe ekspozitat, siç do të jenë ajo figurative e piktorit gjirokastrit Pëllumb Puci dhe “Përpara se të bëhej libër” me dorëshkrime autentike të veprave të Kadaresë.

Gazetare: Y. Ponde

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›