E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet në 130 vjetorin e vdekjes Hasan Tahsini

Në sesionin përkujtimor studiuesit hodhën dritë mbi rolin e Hasan Tahsinit si dekan i rilindësve shqiptarë, si dhe mbi kontributin e tij në fushën e astronomisë, psikologjisë, filozofisë dhe gjuhësisë.

Sesioni u organizua nga Shoqata Kulturore Shqiptaro-Turke “HasanTahsini”, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), Qendra Kulturore Turke “Yunus Emre”.

Kryetari i Shoqatës shqiptaro-turke “Hasan-Tahsini”, Ibrahim Hoxha, vlerësoi kontributin e Hoxhë Tahsinit në themelimin e Universitetit të parë në Stamboll si dhe përmendi kontributin e tij në Rilindjen Shqiptare.

Në referatin e tij, drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, Ramiz Zekaj, tha se Tahsini hyri në orbitën e historisë shqiptare duke plotësuar historinë e lëvizjes çlirimtare shqiptare.

“Aktivist në përhapjen e një alfabeti të përbashkët, Tahsini mendonte se shqiptarët kanë gjuhën e tyre, historinë, kulturën e tyre dhe meritojnë edhe alfabetin e tyre”, tha Zekaj.

Sipas tij, Tahsini e shikonte mësimin e gjuhës shqipe si elementin bazë të bashkimit kombëtar, ndërsa shkollën shqipe si vatër të rëndësishme të përparimit kombëtar. Ramiz Zekaj referoi kumtesën “Hoxhë Hasan Tahsini, dekan i Rilindjes Kombëtare Shqiptare” dhe sipas tij, me të drejtë Tahsini është cilësuar i tillë dhe ka lënë pas një vepër që e bën të pavdekshëm.

Në kumtesat rreth figurës dhe personalitetit të Hoxhë Tahsinit u theksuan edhe pikëpamjet filozofike të tij, referuar nga Gjergj Sinani. Tahsini njihte filozofinë e iluministëve francezë, zotëronte teorinë e Dekartit dhe ishte mbrojtës i shtetit të së drejtës.

Hasan Tahsini lindi në vitin 1811 në Sarandë dhe vdiq në 4 korrik të vitit 1881 në Stamboll. Ai ishte  përkthyes, poet, shkrimtar, letrar, filozof, matematikan, psikolog, dhe i pari që përhapi në masë mendimin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Në historinë e kulturës shqiptare të Rilindjes Kombëtare, Hasan Tahsini ka hyrë si një nga figurat më të shquara të shekullit të XIX.

Tahsini punoi për alfabetin shqip dhe donte ta kishte të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera për të treguar personalitetin e popullit të tij. Hoxha Tahsini ishte mësues i Abdylit, Naimit e Samiut, Vaso Pashës, Jani Vretos dhe Ismail Qemalit. Ndër botimet e tij përmenden: “Historia e krijimit”, “Themeli i Gjithësisë”, “Psikologjia apo Dituria e shpirtit”, “Të fshehtat e ajrit dhe ujit”, “Rruzullimi i përbotshëm”, “Pasqyra qiellore” etj.
/Start/

                                                                                             2011-07-04 15:57
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›