Elbasan, kapet autori i disa vjedhjeve
Elbasan, kapet autori i disa vjedhjeve
ELBASAN-Një 17-vjeçar ka rezultuar autor i5 vjedhjeve në qytetin e Elbasanit, pasi është kapur duke vjedhur një dyqan. Elton O, 17-vjeç së bashku me një bashkëmoshatar, emri i të cilit nuk bëhet ende i ditur nga policia, akuzohen për serinë e vjedhjeve për qytet. Arrestimi i të riut u bë dy ditë më pare, ku ai u kap duke vjedhur një lokal, por pas vazhdimit të hetimeve është zbuluar se 17-vjeçari ishte autor i disa vjedhjeve të tjera në bashkëpunim. Burime nga policia bëjnë të ditur se ai rezulton autor në vjedhjen e banesës së shtetasit Hektor Cehu, në lagjen "Dyli-Haxhire", në muajin nëntor; autor i vjedhjes së një lokali në lagjen "Haxhias" të qytetit; dyqanin e shtetasit Ilir Bitri në lagjen "Emin Matraxhiu", dhe dyqanin e shtetasit Bedri Broshka. Paratë dhe mallrat e vjedhura kapin vlerën e 2 milionë lekëve. Policia është vënë në kërkim të autorit tjetër të vjedhjeve.
Shiste barna në mënyrë të paligjshme, prangoset
Vlorë- Tregtonte në mënyrë të paligjshme barna farmaceutike, por ka përfunduar në pranga. Sipas policisë së Vlorës, mësohet se është arrestuar 57-vjeçari nga qyteti i Tiranës është ndaluar në orët e mbrëmjes së djeshme, pasi është kapur në flagrancë mebarna farmaceutike. "57-vjeçari Ismail Pinari, është ndaluar në kushtet e flagrancës",- theksojnë burimet policore, duke sqaruar se efektivët e sektorit të krimit ekonomik, kanë kryer kontroll në mjetin me të cilin ishte duke udhëtuar ai. Në makinën e tij, tip benz me targa TR 3822N, janë gjetur një sasi mallrash farmaceutikë, të cilat siç ka rezultuar më vonë, shiteshin në mënyrë të kundërligjshme. Me cilësinë e provës materiale janë sekuestruar barnat dhe pajisjet e tjera, të cilat ka pasur në makinë personi. Pasi ka kryer veprimet proceduriale, policia ka ndaluar 57-vjeçarin, materialet për të cilin i janë përcjellë prokurorisë për veprën e mospagimit të taksave dhe tatimeve. Sipas agjentëve të sektorit të krimit ekonomik, veç grosisteve të deklaruar që tregtojnë barna, ka shumë shitje të tilla në këtë treg, të cilat kryehen fshehtësisht. A.Peçi