E Diel, 1 Nëntor 2026

Frikë, ftohtë dhe dajak

Rrahja e gazetarit Mero Baze nga një biznesmen si Rezart Taçi më kalli krupën.

Por mishtë mi ngjethi dalja e kolegëve të mi në protestën para Kryeministrisë. Në ato pak pamje në kronikën e "Top Channel", sytë më zunë vetëm ata gazetarë që kishin braktisur të ngrohtët e studiove, zyrave, kafeneve dhe restoranteve luksoze ku "gërmojnë" lajmet e ditës së bashku me miqtë biznesmenë dhe politikanë.

Me nga një bisht cigareje në gojë, të qeshurat ju mërdhinin në buzë e duart s‘ua ngrohnin as xhepat nga të ftohtët. Më kapën dhe mua të dridhurat, kur nga e gjithë ajo Shqipëri që ndjek 24 orë ekrane, krah kolegëve pashë vetëm Erion Veliajn dhe një tufë pleqsh të sakatosur që tundnin, me duar jashtë xhepave, disa parulla të palexueshme kartoni.

Gazetarët lëkurëtrashë, nga ato që rrahin mëkëmbë e mëngëpërveshur në shi e në diell asfaltin nga ministria te Kryeministria dhe nga PS-ja te bashkia, i pashë vetëm në fund. Mezi i gjeta nëpër cepat e ekranit, ku, pa jua bërë syri tërr nga të ftohtët, mbanin ngritur majat e mikrofonave nga ana tjetër e të cilëve çirreshin të indinjuar drejtuesit e unioneve dhe shoqatave të kolegëve, të akredituara në Bruksel, për të cilët s‘mbaj mend sa herë më kanë pyetur të interesohem vetëm në janë ende gjallë.

M‘u kujtua një shkrim i kolegut Blendi Fevziu për këto maja mikrofonash te gazeta "Panorama" dhe përveç të dridhurave m‘u shtua dhe rishfaqja e së njëjtës përzierje të fortë stomaku që pata përjetuar ditën që e lexova. Nuk më zunë sytë një gazetar tjetër që e ka provuar në kurriz të rrahurën vendçe, Sandrin e "Klanit", personazhin e Antenës së Meros, i cili që pa gdhirë kish shprehur hapur "solidaritetin" në faqet e Kohës së Blendit.

Një ditë para protestës së kolegëve të mi, në ekranet ku punojnë, që drejtojnë, ku mbajnë të njëjtat maja mikrofonash, pashë me sytë e mi dhe dëgjova me këto veshë "indinjatën" e Kryeministrit, të cilit në atë moment nuk pashë t‘i fluturonte asnjë këpucë e grisur mbi kokë.

Meqenëse ju lodhim përditë me krahasimet nga Perëndimi, në Maqedoninë fqinje m‘u kujtua rrahja e një kameramani nga një polic. Kryeministri i atij vendi, me nga pas të gjithë ministrat që i kish rreshtuar ditën e 100 ditëve të para të qeverisë, mbeti me letër në dorë e me gisht në gojë kur kolegët e mi atje, shqiptarë e maqedonas bashkë, ulën kamerat me gjithë majat e mikrofonave në tokë, i kthyen shpinën e braktisën sallën, në sekondën e parë që nisi fjalimin.

Ndërsa Maqedonia fqinje renditej e 34-a në raportin vjetor të "Reporterëve pa Kufij", m‘u kujtua renditja e mynxyrshme e Shqipërisë në vendin e 88-të, ndërsa gishtat e një dore mjaftonin për të numëruar shkrimet apo reagimet për këtë. Më të rënda se kurrë ishin edhe fjalët, jo vetëm për mungesën e lirisë, por edhe për vetë median dhe pikëpyetjet për pavarësinë e saj, në raportin e fundit të Komisionit Europian. Por, për këtë nuk pashë e lexova as gëk as mëk.

Në fund m‘u kujtua vetë Mero ziu, kur të shtunën e kaluar mori çmimin për emisionin më të mirë investigativ të vitit. "Nuk e meritoj, sepse në atë nivel ku ka rënë gazetaria jonë, unë vetëm sa kam thënë atë që kanë frikë të thonë të tjerët, jo se kam gërmuar ndonjë gjë", pranoi Mero, para se të hante dajakun. E si mos të rrahë Rezart Taçi me gjithë badigardë, me apo pa urdhër të Kryeministrit?

Dordomuzët qëlluan dhe do të qëllojnë, sepse kolegu ynë Mero, siç e tha dhe vetë, mbeti lakuriq, ashtu siç mbetën të gjithë kolegët në protestën para Kryeministrisë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›