E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Evakuimi i truri? Jo nga alienët

Kohët e fundit kam lexuar shpesh të përflitet për “ikje” dhe “kthim” të trurit, bile ka edhe disa projekte të financuara për to; sikur ky “Truri” të ishte një pjesë separatiste e trupit të njeriut. Dhe kjo që ma hoqi trurin fare, sepse vërtetë është se bërja e moralit është dobësi e trurit. Parimi se përpara se të flasësh, aktivizo trurin, është gjithmonë i nevojshëm. Pasi e aktivizova, po eci.
Siç ndodh zakonisht njerëzit devijojnë nga parimet dhe shpesh vendosin bast mbi injorancën, duke mos kuptuar se problem nuk është rikthimi apo emigracioni i trurit, por vënia në punë e tij. Mund të eksportosh apo të importosh një mekanizëm të çdollojshëm, por nëse nuk e fut në prizë, pra në burimin e energjisë vendase, nuk të shërben për asgjë. Ikja e trurit tashmë po na projektohet nga njerëz të iluminuar si një hemorragji e pafrenueshme, çka nuk është e vërtetë. Migracioni i punonjësve të specializuar, i njohur ndryshe rrjedhja i trurit, është një fenomen relativisht i përhapur në vendet në zhvillim si Shqipëria; por kujdes, edhe vendet e zhvilluara e kanë këtë shqetësim. Mjafton të lundrosh në dokumente zyrtare dhe jozyrtare për të verifikuar se si shqetësimi ka kapluar Europën, për ikjen e trurit në Amerikë.
Mirëpo halli më i madh që kanë vendet në zhvillim, si Shqipëria, nuk është ikja e trurit dhe as rikthimi i tij, por aktivizim i atij që mbetet, i atyre që drejtojnë dhe atyre që menaxhojnë kapitalin intelektual. Ka gjithmonë njerëz që nuk emigrojnë për të pasur një pagë më të mirë dhe një celebritet egocentrik në një shtet tjetër. Dhe këtë nuk e bëjnë nga një patriotizëm i shfrenuar, apo nga mungesa e protagonizmit, por nga përmbushja e bollshme e ekzistencës së tyre. I mjaftojnë botës dhe vetes njëkohësisht (nuk ka kërkesë llogarie), prandaj atyre që studiojnë këto fenomene të “ikjes” dhe “rikthimit” të trurit, u mungon ky element analitik.
Duke u dokumentuar për këtë shkrim, konstatova një lajm: Shkencëtarët na thënkan se qeniet njerëzore vënë në përdorim vetëm 10% të kapacitetit të trurit të tyre dhe ne e kemi marrë si një të vërtetë sepse nuk jemi shkencëtarë, por trurin e përdorim gjithsesi. I përbërë nga miliona neurone, truri (sidomos ai i qenies njerëzore) është organi më i ndërlikuar i çdo gjallese. Shprehur figurativisht, ai është më i ndërlikuar se cilido kompjuter i sotëm modern, pra një super-kompjuter biologjik.
Mirëpo nëse do të mendoni se përqindja e lartpërmendur është reale, natyrshëm të vjen të bësh pyetjen: Si mund të funksionojmë me një organ kaq vital, i cili është në punë vetëm me 10% të kapacitetit të tij? Po në fakt teorikisht është e mundur, pasi ka njerëz që jetojnë me një veshkë, me një sy, me një vesh, me një këmbë, me një testikul, dhe madje fare pa organe gjenitale. Por nga ana tjetër, po t‘i referohemi rastit të zemrës, nuk mendoj se mund të ekzistonte ndonjë qenie e gjallë, jo vetëm njerëzore, me një zemër që do të kishte një kapacitet pune prej 10%. Truri punon jo vetëm kur jeni zgjuar, por edhe kur jeni në gjumë. Truri komandon gjithçka që nga zemra, qarkullimi i gjakut, frymëmarrja, muskujt e deri tek ëndrrat. Një pjesë e madhe e tij merret me gjënë më të bukur që kemi, emocionet dhe kujtimet, duke i ruajtur, forcuar e aktivizuar ato.
Po nëse është i vërtetë se truri përdor 10%, atëherë me se merret 90% i mbetur? Nga pikëpamja ekonomiko-biologjike na kushton shtrenjtë të kemi një tru. Ne jemi kafshë të kësaj Toke, prandaj e përdorim aq sa na duhet për të mbijetuar. Kemi lindur për të qenë në të njëjtin ekosistem si çdo qenie tjetër e gjallë, apo edhe si çdo bimë. Si qenie që jemi, na duhet që të harxhojmë energji metabolike për të rritur trurin tonë, pra na duhet të shpenzojmë kalori, të paktën 30% e kalorive që ne shpenzojmë, shpenzohen nga truri.
Kështu nëse ne e lëmë 90% të trurit pa punë, me gjithë energjinë që i japim, do të thotë që një pjesë e energjisë, një pjesë jo e vogël e saj, shkon dëm. Ndoshta ideja se ne kemi vënë në punë vetëm një pjesë të vogël të trurit tonë, vjen nga frika që kemi për faktin se nuk po mendojmë aq thellësisht sa duhet të mendonim në të vërtetë? Gjithsesi një fakt është i vërtetë; neuronet e trurit duhen të ndizen, sikurse edhe qelizat e tjera të trupit. Për paradoks, nëse nuk i vë flakën, ato do të "vdesin". Nëse ndaloni së menduari, së kryeri ushtrime të ndryshme, do të humbisni aftësinë e cilësisë së veprimeve, do të humbisni aftësinë gjimnastikore të të menduarit. Ka shumë gjëra që mund të bëjë truri i njeriut. Shumë çudira dhe gjëra të paarritshme në dukje, realizohen nga qendra e mendimit që artikulon energjinë e pazbuluar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›