Përleshje me armë në Peqin, vritet një efektiv policie

Një përleshje me armë zjarri ka ndodhur në orët e vona të natës pranë fshatit Pajovë në Peqin, ku si pasojë janë vrarë dy persona, njëri nga të cilët është efektiv policie.
Sipas policisë efektivi Zabit Caka 50 vjeç është qëlluar me armë zjarri nga Luan Tabaku 40 vjeç, i cili në momentin e shkëmbimit të zjarrit ishte duke grabitur një transformator në fshatin Gryksh në komunën Shezë.
Në fillim policia kishte deklaruar se në grabitje ishin përfshirë dy persona të cilët sapo kishin parë trupat e policisë kishin qëlluar drejt tyre.
Por pas sqarimit të ngjarjes mësohet se grabitësi kishte qenë i vetëm dhe pasi ka qëlluar për vdekje policin Caka ka shkrepur armën ndaj vetes, duke mbetur i vdekur në vend.
Mësohet se në vendngjarje kanë shkuar menjëherë krerët më të lartë të policisë të Elbasanit ndërsa është ngritur edhe një grup hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes.