Përleshje në Bengazi

Dëshmitarët deklarojnë se një turmë që ngrinte parulla për gjysmë-autonomi për rajonin Sirenaika u sulmua nga persona të armatosur, të cilët hapën zjarr.
Plani në fjalë kërkon krijimin e një parlamenti rajonal me kontroll mbi policinë, por autoritetet druhen se ai mund të ndajë Libinë. Plani ka shkaktuar kritika të ashpra nga shumë politikanë, që mendojnë se ai mund të çojë në shpërbërjen e vendit.
Dhuna erdhi pasi qindra persona marshuan në Sheshin e Lirisë, në Bengazi, ku Ahmed Zubair al Senussi, kryetar i këshillit rajonal që kërkon ndarjen, mbajti një fjalim.
Dëshmitarët deklaruan se persona të armatosur me pushkë dhe thika kërcënuan turmën. Një protestues, Bashar al Denali, tha se personat e tubuar u trembën dhe braktisën sheshin, që u pushtua më pas nga personat e armatosur.
Burime spitalore deklaruan se një person është vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.