Përleshjet në Hamallaj, 4 në arrest me burg

Gjyqtari Rexhep Bekteshi, në seanca të veçanta gjyqësore ka vlerësuar si të ligjshme arrestimet dhe ka lënë në burg paafat 4 prej tyre, 2 të tjerë janë lënë në masë arresti 20 ditore, ndërsa një tjetër është lënë i lirë me detyrim paraqitjeje pranë policisë gjyqësore, ndërkohë që vijojnë hetimet.
Prokurori i çështjes, Vladimir Mara ka përshkruar ngjarjen që ndodhi paraditen e së enjtes, kur turma ka qëlluar me gurë, shkopinj e shishe me benzinë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Si rezultat kanë mbetur të plagosur 4 efektiva të policisë, 3 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Avokatët mbrojtës u përpoqën të heqin përgjegjësinë nga klientët e tyre duke deklaruar se kanë qenë të rastësishëm dhe kanë kërkuar lirimin e tyre në sallën e gjyqit.
Ndërkohë prokuroria ka kërkuar që të administrohen zyrtarisht me cilësinë e provës materiale dhe filmimet e bëra nga operatori i Top Channel në vendin e ngjarjes.
Personat nën hetim akuzohen për veprat penale: “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Pengim i mjeteve të transportit”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Goditje për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim”, të parashikuara nga nenet 262, 293, 274, 237, 236/2 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Ditën e hënë pritet të bëhet vlerësimi i masës së arrestit dhe për dy të arrestuarit e tjerë të policisë.