E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia e SHBA, Meta uron Klintonin

Zv. kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta ka uruar sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Klinton me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

"Në këtë ditë të veçantë për popullin mik amerikan, gjej mundësinë, Zonja Sekretare e Shtetit, të konstatoj me shumë kënaqësi se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë më të mira se kurrë, duke u karakterizuar nga fryma e bashkëpunimit miqësor dhe partneritetit të ngushtë. Ne ju falenderojmë sinqerisht për mbështetjen e vyer dhe të vazhdueshme që na keni ofruar, duke filluar nga formimi i shtetit shqiptar e deri sot në përballjen e sfidave për forcimin e demokracisë, shtetit ligjor, ekonomisë së tregut dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Shqiptarët ju mbeten shumë mirënjohës, duke besuar plotësisht tek vlerat që ndajmë së bashku", thuhet në telegramin e urimit të ministrit të jashtëm, Ilir Meta.

Në mesazhin e urimit nënvizohet se "Qeveria shqiptare vlerëson me mirënjohje të thellë mbështetjen e plotë dhe ndihmën e vazhdueshme të Administratës amerikane dhe Tuajën personale në drejtim të reformave të ndërmarra në Shqipëri, duke besuar se rezultatet pozitive të arritura deri më tani kanë justifikuar besimin tuaj".

Si vend tashmë anëtar i NATO-s, falë edhe kontributit të pazëvendësueshëm të SHBA-ve, Shqipëria do të japë ndihmesën e saj për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes vendeve anëtarë, si dhe do të vazhdojë të luajë rol nxitës për përfshirjen e të gjithë rajonit në proceset integruese euro-atlantike. Po ashtu, gjej rastin të ritheksoj angazhimin e drejtpërdrejtë të Shqipërisë në luftën globale kundër terrorizmit, si dhe në kuadër të sfidave të tjera globale e rajonale. Falë përpjekjeve të përbashkëta janë bërë hapa të rëndësishëm përpara në kuadër të forcimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit. Shqipëria mbetet e angazhuar seriozisht për një rol konstruktiv dhe moderator në arenën rajonale dhe më lejoni t'ju siguroj se keni për të gjetur gjithmonë tek Qeveria shqiptare dhe tek unë personalisht një partner të sigurt për të realizuar vizionin e një Europe të plotë, të sigurt dhe në paqe", thuhet në fund të telegramit të urimit të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›