E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbarimi bllokon financat e ministrive

Deri dje, administrata publike i anashkalonte vendimet e gjykatave duke zvarritur ekzekutimin, pasi përballë tyre qëndronte përmbarimi shtetëror.

Por me ndryshimin e ligjit dhe liberalizimin e këtij shërbimi, tashmë shumë shoqëri private e ofrojnë funksionin e përmbaruesit, të licencuar nga Ministria e Drejtësisë.  Në këto kushte, kur kanë kaluar plot një vit nga zbatimi i rregullave të reja, shumë ministri janë vendosur në situatë të vështirë financiare, pasi përmbarimi privat nuk toleron mosekzekutimin e një vendimi gjyqësor.

Gazeta “Shqip” mëson përmes Ministrisë së Financave se disa dikastere kanë probleme me arkën, pasi përmbarimi ka bllokuar zërin “shpenzime korente”, aty ku kalojnë kostot për udhëtime, dietat, materialet e punës së përditshme etj. Ligji përcakton qartë të drejtën dhe funksionin e një shoqërie private përmbaruese, e cila ka dorë të lirë të ndërhyjë në financat e çdo institucioni shtetëror.

Situata problematike lidhet me gjyqet e humbura nga ana e shtetit, si për largimet nga puna, mosmarrëveshjet me biznesin, etj., të cilët e çojnë çështjen në gjykatë për të fituar të drejtën. Mësohen se janë me qindra milionë lekë të bllokuara dhe se ministritë nuk janë në gjendje të zhbllokojnë buxhetin, për shkak të së drejtës që ligji i jep përmbarimit.

Në këto kushte të vështira, Kryeministri Berisha, në bashkëpunim me ministrin e Financave hartuan një udhëzim të posaçëm, ku dëmin për humbjen e gjyqit institucionet do ta paguajnë me këste, duke shmangur në një farë mënyrë ngërçin financiar. /Start

                                                                                             2011-09-08 08:54
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›