Përmbarimi privat, Ministri Nishani përcakton datën kur do të zhvillohet konkursi
Laureta Rryçi
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ka firmosur urdhrin e posaçëm mbi konkursin për përzgjedhjen e përmbaruesve privatë. Burime pranë kësaj ministrie shpjeguan dje se ministri ka vendosur si datën e konkursit 5 prillin, ndërkohë që janë përcaktuar edhe dokumentet që duhet të dorëzojnë kandidatët që kanë interes për të marrë një licencë të përmbaruesit privat. Në urdhër thuhet se subjektet që janë të interesuara kanë më shumë se dhjetë ditë kohë për dorëzimin e dokumenteve në Ministrinë e Drejtësisë. Bashkë me dokumentet është e detyrueshme që kandidatët më parë të bëjnë një pagesë prej tetë mijë lekësh në bankë. Sipas urdhrit të ministrit, atyre që u mungon fatura e bankës për shlyerjen e kësaj pagese, nuk do t’u pranohen dokumentet për kandidim.
Konkursi
Ndërsa ligji ka përcaktuar kriteret e përzgjedhjes, filtrimi i plotë i përmbaruesve privatë do të bëhet nëpërmjet konkursit. Specialistët e Ministrisë së Drejtësisë mësohet se do të ndjekin të njëjtën procedurë si për licencat e noterëve. Konkursi do të jetë i vlefshëm për personat që duan licenca individuale dhe licenca për persona që do të operojnë si studio me disa persona.
Gjatë momentit të hartimit të ligjit “Për Përmbarimin Privat” specialistët u shprehën se ky sistem i dyfishtë do të ishte i përkohshëm. Kjo për të parë se si do të funksiononte në sistemin shqiptar ekzekutimi i vendimeve të formës së prerë. Pas miratimit të ligjit, Ministria e Drejtësisë doli me një udhëzim të veçantë për tarifat që do të zbatonin përmbaruesit privatë. Pritet që pagimi i të gjitha shpenzimeve nga shërbimi privat të sjellë rritjen e tarifave për palët në proces ekzekutimi, të cilët ndoshta nuk mund t'i përgjigjen financiarisht rritjes së tarifave, duke bërë të pamundur zgjidhjen e të drejtave të tyre.
Dosjet
Dosjet që pritet t’u kalojnë përmbaruesve privatë u përkasin çështjeve që mbartin mjaft problematikë. Dhjetëra vendimeve të formës së prerë të gjykatës për lirim banese vazhdojnë të mos zbatohen dot nga Përmbarimi shtetëror, qoftë edhe për mungesë mjetesh logjistike. Me aplikimin e sistemit privat, për institucionet shtetërore është vendosur që të trajtohen si çdo kreditor tjetër privat. Ata do të duhet t’i paguajnë tarifat në raport me objektin e ekzekutimit. Kjo do të ishte pozitive për shifrat e Përmbarimit mbi dosjet e ekzekutuara. Jo rrallëherë drejtuesit e zyrave përmbarimore janë shprehur se më tepër probleme kanë me ministritë, të cilat shpesh janë gjobitur për mosekzekutime. Sipas statistikave, çështjet ku shteti është në cilësinë e palës kreditore (ATK, KESH, firmat piramidale, të ndryshme, gjobat penale), zënë pjesën më të madhe të çështjeve të regjistruara për ekzekutim pranë zyrave përmbarimore. Çështjet sociale, kryesisht me objekt "Takim, kujdestari fëmije dhe detyrim ushqimor", mund të shpërfillen nga ana e përmbaruesve privatë sepse procedurat e zgjatura, negociatat me prindërit, kërkojnë shumë kohë dhe sjellim pak përfitime për ta.
Box
Urdhri i Nishanit mbi konkursin për përmbarimin privat
Ministria e Drejtësisë, në zbatim të nenit 13 të Ligjit Nr. 10031, datë 11.12.2008, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, organizon provimin për kualifikimin e përmbaruesve gjyqësorë privatë, të cilët dëshirojnë që të ushtrojnë aktivitet privat në fushën e ekzekutimit të titujve ekzekutivë.
Konkurrimi është i hapur për të gjithë ata individë, të cilët plotësojnë kushtet ligjore për kualifikimin e përmbaruesit gjyqësor privat.
Konkurrimi do të bëhet me shkrim dhe gojë dhe do të bazohet në njohuritë lidhur me fushat, si më poshtë:
- E drejta kushtetuese
- E drejta civile
- E drejta procedurale civile
- E drejta e punës
- E drejta familjare
- Ligji për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat dhe shtetëror
- Ligji për taksat kombëtare
- E drejta tregtare
- Dispozitat procedurale penale për ekzekutimin e vendimeve penale
Provimi i kualifikimit për ushtrimin e veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë privatë do të zhvillohet më datë 05.04.2010, ora 1000, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë.
Kandidatët për përmbarues gjyqësorë privatë duhet të paraqesin brenda datës 15.03.2010, pranë Ministrisë së Drejtësisë, kërkesën për aplikim së bashku me origjinalin ose kopjen e njehsuar të
dokumenteve të mëposhtme:
diplomën dhe listën e notave, me anë të së cilës vërtetohet përfundimi i arsimit të lartë juridik;
jetëshkrimin, CV-në;
librezën e punës, me anë të së cilës vërtetohet përvoja e punës 3 vjet si jurist;
kopje të pasaportës ose letërnjoftimit;
referencë ose rekomandim nga punëdhënësi i mëparshëm ose aktual;
formularin e plotësuar të vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore;
faturën bankare, e cila vërteton parapagimin e tarifës së pjesëmarrjes në provim.
Tarifa e pjesëmarrjes në provim do të jetë 8000 (tetëmijë) lekë. Kjo shumë duhet të paguhet përpara dorëzimit të kërkesës për aplikim, në numrin IBAN AL 22202110130000000104030780, në llogarinë bankare 0104030780 të Ministrisë së Drejtësisë, Dega e Thesarit, Tiranë, në Raiffeisen Bank.
box
Përmbaruesit nuk do të kenë ndarje juridiksioni
Është parashikuar që Shërbimi Përmbarimor Privat të mund t'i ushtrojë funksionet e veta në mënyrë të pavarur në të gjithë territorin e vendit. Në këtë kuadër nuk do të ketë ndarje të juridiksionit sipas njësive vendore apo rretheve gjyqësore, gjë që do të thotë se një përmbarues privat në Tiranë mund të ekzekutojë një titull ekzekutiv edhe në një qytet tjetër. Përsa u takon procedurave ekzekutive, për shtetas shqiptarë apo të huaj, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, përmbaruesi privat do të procedojë sipas dispozitave ligjore në fuqi, konventave të ratifikuara dhe marrëveshjeve dypalëshe.
Box
Pezullimi i aktivitetit përmbarimor privat
Kur përmbaruesi gjyqësor privat emërohet apo zgjidhet në detyra shtetërore, administrative, publike, me kërkesë të tij, apo me nismën e ministrit të Drejtësisë, licenca për ushtrimin e aktivitetit pezullohet për aq kohë sa zgjat detyra. Për rifillimin e aktivitetit përmbarimor, subjekti fizik i drejtohet Zyrës së Regjistrit të Përmbaruesve Gjyqësorë, e cila, me miratimin e ministrit të Drejtësisë, brenda 5 ditëve kryen veprimet përkatëse. Kur me kalimin e një viti nga mbarimi i detyrës, subjekti fizik nuk paraqet kërkesë për rifillimin e aktivitetit, ai çregjistrohet nga regjistri i profesionit të përmbaruesit gjyqësor.
Përmbaruesi privat nuk mund të jetë:
në funksione publike;
në pozicione drejtuese ose mbikëqyrëse;
në shoqëritë e tjera tregtare;
në organizata jofitimprurëse;
në entet shtetërore;
noter;
avokat;
në ndonjë profesion tjetër që bie ndesh me ushtrimin, në mënyrë të paanshme, të profesionit të tij administrator falimentimi ose likuidator i shoqërive tregtare, që janë në proces falimentimi ose likuidimi.
4 Mars 2010