Pagesa e TVSH-së, shtohen në listë dhe profesionet e lira
Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në do të jetë në masën 2 milionë lekë në vit
Subjekti mund të dalë nga skema e TVSH-së vetëm në se bën çregjistrim përfundimtar
Ervin KOÇI
Skema e pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar do të zgjerohet edhe me një mori profesionesh të tjera. Me një vendim të posaçëm Këshilli i Ministrave ka shtuar dje në listën e subjekteve private që duhet të paguajnë TVSH-ë edhe të gjitha profesionet e lira, të cilat deri tani nuk prekeshin nga kjo pagesë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë janë bërë disa ndryshime në ligjin “Për përcaktimin e kufirit minimal të regjistrimit për TVSH-në”, me propozimin e ministrit të Financave. Kështu, për tatimpaguesit që ofrojnë shërbime në veprimtaritë e ndryshme si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, mami, veteriner, arkitekt, inxhinier, stomatolog, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar, si dhe vlerësues i pasurisë, do të paguhet TVSH-ja në masën 2 milionë lekë në vit. Vendimi i qeverisë i marrë dje gjatë mbledhjes së radhës përcaktonte se: kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) të jetë 2.000.000 (dy milionë) lekë, për vit kalendarik. Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në një kohë që ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Ndryshimet në ligj
Ministria e Financave ka dërguar disa kohë më parë për miratim në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë disa ndryshime në ligjin për TVSH-në, ku më kryesori është heqja e të drejtës së tatimpaguesit për tu çregjistruar pasi është përfshirë në skemën e pagesës së TVSH-së. Me ndryshimin e miratuar nga deputetët e mazhorancës, subjekti mund të dalë nga skema e TVSH-së vetëm në rast se bën çregjistrim përfundimtar. Drafti i Ministrisë së Financave parashikon edhe disa ndryshime të tjera në ligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”. Një prej tyre është përjashtimi nga TVSH-ja i sektorit të arsimit publik dhe privat. Gjithashtu është propozuar që tatimi mbi vlerën e shtuar për importimin e materialeve ushtarake të forcave të armatosura, të dhuruara nga NATO apo partnerët, të paguhet si kosto lokale nga Ministria e Mbrojtjes, por këto mallra të mos jenë të përjashtuara nga TVSH-ja. Me natë të këtyre ndryshimeve do të jetë jo më Parlamenti por që këtej e tutje Këshilli i Ministrave institucioni që do të ketë kompetencën për të miratuar kufirin e xhiros për bizneset që mund të bëhen pjesë e pagesës së TVSH-së. Ndryshimet konsistojnë në faktin se do të vijojë të quhet biznes i vogël ai subjekt që kryen deri në 8 milionë lekë xhiro në vit, por për ata që kalojnë kufirin prej 5 milionë lekësh do të paguajnë TVSH-ë.
Përjashtimet
Ndryshim në ligjin për TVSH-në kanë prekur arsimin jopublik i cili është përjashtuar për vitin që vjen nga pagesa. Kjo gjë i jep këtij tregu jo të vogël, një frymëmarrje më të madhe financiare. Në bazë të vendimit, duke filluar nga 1 tetori i këtij viti, arsimi privat do të përjashtohet nga kjo taksë. Vendimi hyn në fuqi në vitin tjetër akademik, tetor 2010. Heqja e TVSH-së për arsim do të thotë që çdo shërbim që kryhet në funksion të edukimit do të kushtojë 20 % më pak. Në disa prej universiteteve private ky vendim nuk pritet të ndjehet, pasi TVSH-ja ishte një barrë për drejtuesit e institucionit dhe nuk reflektohej tek studenti. Në fund të vitit 2009 kryeministri Berisha njoftoi në mbledhjen e fundit të qeverisë se do t’i bënte një dhuratë sektorit të arsimit, por ai hasi në kundërshtime të ministrit të Financave, sipas të cilit nuk ishte kohë dhuratash. Heqja e TVSH-së për arsim privatë është një masë e cila jep ndikim në buxhetin e shtetit. Ndaj një vendim i tillë duket jo shumë i përshtatshëm në këtë vit kur buxheti i shtetit ndodhet në vështirësi serioze.
Veprimtaritë ekonomike që do të paguajnë TVSH-në:
a) avokat, noter;
b) mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, mami; veteriner, arkitekt; inxhinier, stomatolog, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom;
c) ekspert kontabël i regjistruar dhe kontabilist i miratuar;
ç) vlerësues i pasurisë
4 Mars 2010