E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallet në kërkim vrasësi me pagesë, Policia italiane kërkon ndihmën e homologëve shqiptarë

Bledi Mingu është shpallur në kërkim pasi akuzohet për vrasjen e Françesko Paces

Thimi Samarxhiu

ITALI – Pas dënimit me burgim të përjetshëm në Britani të dy shqiptarëve, Robert Baxhija dhe Ylli Xhelo, për vrasjen me pagesë të një biznesmeni qipriot, një tjetër shqiptar është shpallur në kërkim për të njëjtën arsye. Bledi Mingu është emri i 34-vjeçarit shqiptar që është shpallur në kërkim nga Policia italiane për vrasjen me pagesë të një shtetasi italian, ku porositësi i saj është arrestuar ditën e djeshme në Itali.
Arrestimi
Pietro Angelo Aloisio, 67 vjeç, është vënë në pranga ditën e djeshme nga Policia italiane, pasi sipas saj, në vitin 2005 ai ka urdhëruar vrasjen e Françesko Paces, vrasje të cilën e ka kryer 34-vjeçari shqiptar Bledi Mingu. Sipas hetimeve 5-vjeçare të policisë, Aloiso ka urdhëruar vrasjen e Paces pasi kishte një konflikt në lidhje me një femër. Pas arrestimit të tij, Policia italiane ka shpallur në kërkim shqiptarin Mignu, i cili, sipas tyre, ka humbur gjurmët duke u fshehur në Shqipëri dhe për këtë gjë, policia e shtetit fqinj ka kërkuar ndihmën e homologëve të tyre shqiptarë.
Sipas hetuesve që janë marrë me këtë çështje, vrasja ishte shtyrë nga pasioni. Sipas tyre, Aloisio, ish-drejtues i një industrie kimike, kishte shkuar të jetonte me të dashurën e Paces në kohën kur ky i fundit ndodhej në burg. Pas daljes nga burgu, viktima rifilloi lidhjen me të dashurën e tij. Por kjo gjë duket se nuk i pëlqeu Aloisos, i cili punësoi një vrasës me pagesë për ta eliminuar atë. Pas kontaktit me Bledi Mingun, shqiptari, më datë 24 tetor të 2005-s qëlloi me dy plumba Françesko Pacen duke i marrë atij jetën.
67-vjeçari Aloisio ishte hetuar dhe më parë nga Prokuroria e Firences për vrasjen e së shoqes, me të cilën ishte divorcuar, e cila u gjend e vrarë më 12 shkurt 2004. Pas një hetimi disavjeçar, ai, së bashku me disa persona të tjerë të klanit “Alvaro”, u lanë të lirë në vitin 2007 pasi nuk kishte prova që e fajësonin atë për këtë krim.
Pas një hetimi 5-vjeçar për vrasjen e 45-vjeçarit Françesko Pace, karabinierët e Rexho Kalabrias ekzekutuan urdhrin e arrestit për 67-vjeçarin Pietro Angelo Aloisio si dhe shpallën në kërkim 34-vjeçarin shqiptar Bledi Mingu, i cili, sipas të dhënave, rezulton se ndodhet në Shqipëri.
Precedenti
Vetëm disa javë më parë, dy shqiptarët, Robert Baxhija dhe Ylli Xhelo, u dënuan me burgim të përjetshëm nga Drejtësia britanike pasi u shpallën fajtorë për vrasjen e qipriotit Charalambos Christodoulides, vrasje të cilën e kishte urdhëruar biznesmeni grek Thanos Papalexis. Baxhija dhe Xhelo u punësuan nga manjati grek me banim në Angli për të vrarë 55-vjeçarin, pas dështimit të një marrëveshjeje që ata të dy kishin planifikuar. Duke parë problemet e shumta që Christodoulides po i sillte, Thanos Papalexis vendosi t’i punësonte dy shqiptarët, të cilët do ta torturonin dhe më pas do ta vrisnin viktimën. Në vitin 2000, Robert Baxhija dhe Ylli Xhelo shkuan në banesën e 55-vjeçarit dhe e torturuan atë deri në vdekje. Sipas udhëzimeve të dhëna nga “porositësi”, dy shqiptarët e fshehën trupin e viktimës në garazhin e magazinës ku ai jetonte. Vetëm në 2008-n, Policia dhe hetuesit britanikë arritën të zbardhnin të gjithë ngjarjen, duke vënë në pranga 2 shqiptarët dhe “porositësin” e kësaj vrasjeje.

4 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›