Përmbaruesit i morën banesën, 70 vjeçari vret veten e djeg banesën
Kavajë/Kushtet e rënda ekonomike e detyruan 70 vjeçarin Enver Shabani të mos paguante këstet e kredisë me të cilin ai kishte blerë shtëpinë ku jetonte, ndërsa pamundësia për të punuar vitin e fundit, për shkak të sëmundjes e çoi të moshuarin të humbiste banesën 60 metra katrorë që e kishte blerë me kredi. Sipas të dhënave nga Policia e Durrësit në lidhje me këtë çështje, punonjës të përmbarimit, kanë mbërritur mëngjesin e së Mërkurës duke u përpjekur ti komunikonin 70 vjeçarit se shtëpinë duhet ta lironte për shkak se banka ja kishte sekuestruar, por hasën në kundërshtime të forta madje i moshuari ka qëlluar edhe me armë kundrejt punonjësve të përmbarimit e më pas i ka vënë flakën banesës dhe në mënyrë tragjike është vetëvrarë brenda në banesë. Ngjarja e rëndë u shënuar në një lagje të qytetit të Kavajës, ndërsa sipas Policisë i moshuari jetonte i vetëm, dhe që prej disa muajsh kur kishte marrë paralajmërimin nga banka për të boshatisur banesën, ai kishte kaluar në gjendje depresioni.
Ngjarja
Siç bën me dije Policia një person i moshës 70 vjeç me identitet Enver Shabani ka kundërshtuar duke qëlluar me breshëri automatiku, përmbaruesit që do ti merrnin shtëpinë dhe me pas i ka dhënë fund vetes, me një plumb në kokë duke i vënë edhe flakën banesës ku jetonte prej disa vitesh. Ngjarja u shënua dje paradite në Kavajë në një lagje pranë tregut ku u sinjalizua se para një person po alarmonte zonën me të shtëna armësh, pak minuta para se përmbarimi të shkonte për ti konfiskuar banesën. Sipas policisë, Enver Shabjani, 70 vjeç kishte një kredi pa shlyer ndaj përmbarimi do të ekzekutonte urdhër-ekzekutimin për ti marrë shtëpinë që ishte vendosur si garanci nga të afërm të Shabanit.
Hetimet
Pasi fqinjët kanë njoftuar nëpërmjet telefonit komisariatin e Policisë, uniformat blu mbërritën në vendngjarje duke i bërë thirrje të moshuarit të dorëzohej, por Enver Shabani nuk pranoi të dorëzohet. Ai vijoi të qëllonte ndaj policisë, dhe përmbaruesve duke rrezikuar jetën e banorëve në zonë. Pas disa minutash, banesa u përfshi në flakë dhe policia duke njoftuar edhe zjarrfikëset e qytetit mundën të lokalizojnë flakët e të nxjerrin jashtë të moshuarin i cili kishte vrarë veten me armë. Efektivët konfirmuan se i moshuari kishte ndërruar jetë për shkak të plagëve me armë zjarri ndërsa edhe më parë sipas Policisë ai kishte deklaruar edhe tek fqinjët apo të afërmit e tij se do ta lironte banesën vetëm kur të mos ishte më në jetë. Madje në lidhje me këtë fakt Policia po heton pasi sipas deklaratave të disa prej të afërmve i moshuari kishte shkuar disa herë në bankën ku kishte marrë kredinë dhe u kishte shpjeguar se ai jetonte i vetëm e nuk kishte asnjë mundësi tjetër financiare për të shlyer këstet e parave me të cilën kishte blerë banesën. Në këtë mënyrë 70 vjeçari i kishte kërkuar bankës të bënte një lëshim duke e toleruar në shlyerjen e kësteve, por mesa duket kjo gjë nuk është marrë parasysh nga drejtuesit e bankës emri i së cilës nuk bëhet publike, nga Policia për shkak të hetimeve. Policia hedh dyshime se Shabani ka vrarë veten, ndërsa sipas fqinjëve edhe uniformat blu kanë gjuajtur kundrejt të moshuarit disa herë me pistoletë për ta ndalur. Ndërkohë janë marrë në pyetje përmbaruesit për të dhënë sqarime mbi ngjarjen e rëndë në Kavajë.