Bankat kreditojnë qeverinë, ulin huatë për ekonominë
Shoqata e Bankave ka publikuar të dhënat tremujore mbi sistemin bankar në vendin tonë. Referuar raportit në fjalë rezulton se BKT dhe Raiffeisen mbajnë rekordin në vlerë absolute për investime në letra me vlerë, ndërsa Tirana Bank është më aktivja, në zëvendësimin e huadhënies ndaj individëve dhe bizneseve në përgjithësi me huadhënie ndaj qeverisë. Po sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Bankave mbi aktivitetin e bankave gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013, bankat kanë qenë aktive në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë në tre muajt e parë të këtij viti, ndërkohë që nuk ka ndodhur e njëjta gjë me huadhënien për ekonominë.
Kredidhënia
Në total kanë raportuar të dhënat 13 nga 16 bankat e sistemit bankar shqiptar. Pesë banka, nga 13 që kanë raportuar të dhënat (mungojnë shifrat për Alpha Bank, Societe Generale, Credit Bank of Albania) kanë raportuar ulje të portofolit të huasë për tre-mujorin e dytë të 2013 në raport me tremujorin e parë të vitit 2012. Tirana Bank është banka që rezulton të ketë tkurrjen më të madhe të portofolit të kredisë me një rënie prej 7.1% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2013.
Bankat më aktive
Më aktive në kredidhënie rezulton NBG dhe Veneto, që ka rritur portofolin e tyre respektivisht 4.2 % dhe 4.7 % në fund të tremujorit të dytë të viti 2013 në krahasim me tremujorin e parë të po këtij viti. Gjithashtu, aktivitet kreditues në rritje kanë qenë BKT dhe Intesa, ndërsa Raiffeisen Bank ka ulur portofolin e kredive me 2.1% nga tremujori në tremujor duke peshuar mbi stock-un e kredisë duke pasur parasysh madhësinë e saj.
Letrat me vlerë
Sa i përket kreditimit të qeverisë me anë të blerjes së letrave me vlerë, më aktivet kanë rezultuar Tirana Bank me një rritje të portofolit prej 16.8% nga tremujori i parë i vitit 2013. Nga të dhënat rezulton se kjo bankë ka qenë më aktivja, në terma relativë, në zëvendësimin e huadhënies ndaj individëve dhe bizneseve në përgjithësi me huadhënie ndaj qeverisë. Vendin e dytë, po në terma relativë e zë BKT e cila raporton një rritje prej 12.67 % në portofolin e letrave me vlerë.
Kryeson ankandet
E ndihmuar dhe nga një rritje e ndjeshme e depozitave në valutë, BKT ka qenë pjesëmarrja kryesore në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë. Për herë të parë në fund të 6-mujorit, portofoli i investimeve në letra me vlerë i kësaj banke e ka kaluar atë të kredisë, duke treguar për një orientim të qartë të bankës së dytë më të madhe në vend në financimin e qeverisë.
Banka Credins, 150 milionë fitime në 6 muaj
Banka Credins deklaroi në faqen ueb të saj se fitimi i bankës arriti në 150 milionë lekë (1.07 milion euro ose 1,4 milion dollarë) në gjysmën e parë të vitit 2013. Në të njëjtën kohë banka nuk ka dhënë shifra krahasuese për gjashtë mujorët paraardhës. Portofoli bruto i kredisë, në fund të periudhës gjashtë-mujore, arriti në 71.45 miliardë lekë dhe kreditë jo-performuese arritën 15.95 %. Portofoli i depozitave të bankës, në fund të periudhës në shqyrtim, ishte 86.08 miliardë lekë. Banka Credins raporton se asetet totale, në fund të qershorit, arrijnë vlerën e 100.92 miliard lekëve. Në fund të qershorit banka raporton 47 degë dhe 639 punonjës.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Buxheti në krizë, bllokohen të dhënat financiare
Në kulmin e krizës së buxhetit Ministria e Financave ka bllokuar publikimin e të dhënave financiare të Qeverisë. E marta e kësaj jave ka qenë afati i fundit kur ministria duhet të kishte bërë publike të dhënat e buxhetit për 7 mujorin, që përfshijnë ecurinë e të ardhurave, shpenzimeve dhe sa është rritur borxhi i Qeverisë. Por shifrat nuk janë publikuar nën pretendimin se ka probleme me sistemin elektronik të thesarit dhe zyrtarisht nuk ka asnjë afat se kur ato do të jenë të disponueshme. Gjendja financiare e qeverisë është shndërruar në një nga shqetësimet më të mëdha për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, veçanërisht për ndërkombëtarët si FMN dhe Banka Botërore. Në gjashtë muajt e parë të vitit, treguesit e buxhetit cekën kufijtë ligjor të programuar për gjithë vitit. Deri në qershor Qeveria konsumoi mbi 90 për qind të huamarrjes së brendshme vjetore, ndërsa deficiti total i vitit u ezaurua në mbi 80 për qind. Shifrat e vetme në lidhje me ecurinë e buxhetit gjatë muajit të fundit, janë ato të bërë publike pak ditë më parë nga vetë kryeministri, i cili foli për rritje me 7 për qind të të ardhurave.