E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbaruesit privatë: Të mos pengohet zbatimi i vendimeve gjyqësore

TIRANE - Dhoma Kombëtare e përmbaruesve gjyqësorë privatë u bën thirrje qytetarëve, institucioneve shtetërore e private dhe forcave politike që të mos pengojnë zbatimin e vendimeve gjyqësore.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, përmbaruesit privatë përmendin rastin e fundit, në godinën pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, ku banorët u konfrontuan fizikisht me përmbaruesit gjyqësorë.

“Dy ditë më parë u bëmë dëshmitarë të një ngjarjeje, ku banorët shkuan deri në konfrontim fizik me përmbaruesit gjyqësorë, të cilët kanë detyrën e shenjtë të zbatimeve të vendimeve gjyqësore dhe zbatimin e shtetit të së drejtës. Gjatë zbatimit të vendimit u pa një presion i jashtëzakonshëm, si ndaj përfaqësuesve të përmbarimit, ashtu edhe ndaj përfaqësuesve të Policisë së Shtetit, detyra e të cilëve është të sigurojnë rendin e qetësinë gjatë kryerjes së procedurave përmbarimore.”- thuhet në deklaratë.

Dhoma Kombëtare e përmbaruesve gjyqësorë privat u kërkon forcave politike që të mos ndërhyjnë në zbatimin e vendimeve të gjyqësorit për arsye elektorale. “Ky pushtet delegohet nga vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e cila e ngarkon përmbaruesin gjyqësor për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Në situata të tilla, përfshirja e forcave politike të çfarëdo kahu do të çonte në pengimin e dhënies së drejtësisë dhe krijohen tensione që çojnë më pas në përplasje dhe situata tej normales, në një kohë që lufta e vërtetë është bërë më parë në Gjykate dhe ajo ka dhënë një vendim, që më pas duhet të zbatohet”- thuhet në deklaratë.

TENSIONET NE GODINEN PRANE “PETRO NINI LUARASIT”
Mes një situate të tensionuar dhe të dhunshme, përmbaruesi privat ka tentuar dy ditë më parë që të nxjerrë jashtë një godine rreth 14 familje, të cilat nuk kanë pranuar për asnjë moment që të braktisin banesat e tyre. Ngjarja është shënuar në rrugën "Margarita Tutulani" pranë shkollës "Petro Nini Luarasi" në kryeqytet.

Por, situata është tensionuar edhe më tej në orët e mbrëmjes, teksa banorët e ndërtesës kanë nisur të konfliktohen me forca të shumta të policisë private dhe me përmbaruesin. Banorët kanë tentuar rreth orëve të mbrëmjes të hyjnë me forcë në godinën nga ku i nxorën, por kanë hasur në rezistencën e policisë private. Në konfrontim e sipër, katër persona kanë shfaqur probleme me shëndetin dhe janë transportuar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Forcat dhe përmbaruesit kanë tentuar të nxjerrin me dhunë banorët nga ndërtesa e tyre, ndërkohë që pronari ka pohuar se e ka blerë godinën në 1947-ën, ndërsa banorët janë shprehur se godina është ndërtuar nga italianët dhe se pronari i ka falsifikuar dokumentet.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›